Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres të Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas SPAK-ut, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në cilësinë e ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK tha se Balluku u njoftua për akuzën ndaj saj të premten e 31 tetorit.
Sipas SPAK-it, akuza ka të bëjë me veprimet që Balluku, që në cilësinë e ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë, i ndërmori në një nga procedurat e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, përkatësisht për seksionin rrugor Orikum-Himarë.
Kjo procedurë e prokurimit ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020. Më pas ajo ishte anuluar dhe ishte rihapur më 22 qershor 2021, tha SPAK.
Balluku ishte njoftuar nga SPAK-u për hetimet ndaj saj më 21 tetor dhe kjo strukturë kundër korrupsionit e kishte ftuar që të paraqitej atë më 31 tetor në orën 15:00.
Pas daljes nga ndërtesa e SPAK-ut të premten, Balluku tha për mediat se ajo pranoi ftesën e këtij institucioni për “një çështje në hetim”.
“Si qytetare e Republikës dhe si një zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplot se do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj”, tha ajo pa pranuar pyetje nga gazetarët.
Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u pyet të komentonte çështjen e Ballukut, pasi mediat në Shqipëri, duke u thirrur në burime, kishin raportuar se SPAK e kishte ftuar Ballukun që të paraqitej para këtij organi.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, siç e kam thënë ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykatat popullore, politike dhe mediave që i shërbejnë politikës”, tha Rama për Deutche Welle.
SPAK është krijuar në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.
Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërkaq Meta gjendet në paraburgim.



Të tjera
Real Madridi rivalizon Man Utd dhe Chelsea për sensacionin boshnjak të RB Salzburgut
Pse kirurgët veshin uniforma me ngjyrë të gjelbër ose blu?
Që nga viti 2014, në Kosovë është në fuqi ndalimi i mbulesës (shamisë) në arsimin parauniversitar