“Srebrenica nuk duhet të ndodhë kurrë më”, Parlamenti Evropian bën thirrje për ndërhyrje në Gaza

“Srebrenica nuk duhet të ndodhë kurrë më”, Parlamenti Evropian bën thirrje për ndërhyrje në Gaza

Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, në ceremoninë përkujtimore për 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë dha mesazhin që kjo “të mos ndodhë kurrë më”, ndërsa disa deputetë theksuan se Evropa, e cila dështoi të mbronte myslimanët boshnjakë, ka përgjegjësinë për të ndaluar gjenocidin në Gaza.

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të PE-së filloi me ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, i cili u përjetua në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës 1992-1995 dhe që cilësohet si “tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Në fjalimin e saj, presidentja e PE-së, Roberta Metsola, kujtoi se mijëra myslimanë boshnjakë u masakruan, u zhdukën dhe u zhvendosën me forcë nga shtëpitë e tyre.

“Srebrenica nuk duhet të ndodhë më kurrë”, tha Metsola.

Disa nga deputetët që dolën në podium si pjesë e përkujtimit vunë në dukje se Evropa dështoi të parandalonte gjenocidin në Srebrenicë dhe se duhet të bëhen përpjekje për të parandaluar gjenocidet e reja, duke pranuar se gjenocidet janë kryer edhe në Evropë.

Matjaz Nemec, një deputet slloven nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), tha se: “Sot, Evropa po bën përsëri sikur ‘nuk e di’. Emri i cilit qytet palestinez do të duhet të shkruhet me gjak në librat e historisë njerëzore, në mënyrë që të kalojmë nga fjalët në veprime?”

Edhe Tineke Strik, një eurodeputete holandeze nga Grupi i të Gjelbërve, theksoi: “Ne kemi përgjegjësi të mësojmë nga ky dështim dhe për këtë arsye duhet të parandalojmë gjenocidin që vazhdon në Gaza”. /AA