Sulmi brutal i burrit të Haxhiut ndaj gjykatësit, reagon Supremja: Gjuhë e papranueshme, e dënojmë ashpër

Alban Krasniqi, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili është burri i Albulena Haxhiut, ka sulmuar personalisht gjykatësin e Gjykatës Supreme, Zenel Leku, ndërsa kundërshtoi vendimin e kësaj gjykate për ta hedhur poshtë një ankesë të LVV-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Turp i madh” e “mjerim” tha Krasniqi për vendimin e Supremes, ndërsa emrin e gjykatësit Leku e krahasoi me atë të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.

Pas sulmit, Gjykata Supreme e Kosovës ka shprehur” shqetësimin e thellë përkitazi me sulmet e fundit të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili gjatë mbledhjes së KQZ-së, me datë 1 shtator 2025, ka përdorur gjuhë të papranueshme karshi Gjykatës Supreme, dhe gjyqtarit të kësaj gjykate, z. Zenel Leku”.

“Gjykata Supreme dënon ashpër këtë gjuhë reagimi të paprecedent dhe konsideron se deklaratat e tilla, përveçse janë të papranueshme, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi”, thuhet në reagimin e Supremes.

“Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte.

Në një shtet demokratik, është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore derisa përpjekjet për ta diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë gjyqësore, janë të dëmshme e të papranueshme, për gjykatën, gjyqtarin dhe gjithë shoqërinë”, vijon reagimi.

“Gjykata Supreme, vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore”, përfundon reagimi.