Zyrtari policor Xhemë Murtezaj, në cilësinë e dëshmitarit në seancë ndaj ish-nënkryetarit të Komunës Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe dy vëllezërve të tij Faton dhe Arif Lushtaku , deklaroi se në natën kritike të akuzuarin Nuredin Lushtaku e kishte parë me armë.
Dëshmitari Murtezaj tha se në momentin kur Nuredin kishte nxjerrë revolen ai kishte tentuar që t’ia largonte armën por nuk kishte arritur, raporton ”Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, ai tha se në kohën kur ai nuk po arrite që t’ia largonte revolen, kolegu i tij ishte përtokë, dhe se kishte nxjerr edhe vetë ai armën por që nuk kishte objektivë për arsye se ishte natë.
“Më pas kam nxjerrë sprehun dhe e kam përdorur, dhe po në atë moment është dëgjuar një krismë e revoles dhe më pas kam dëgjuar kolegun Mërgim Geci duke kërkuar ndihmë”, tha Murtezaj
Në pyetjen e prokurorit Mejdi Sefa se a e goditshin të akuzuarit Arifi dhe Fatoni të dëmtuarin Enver Berishën, dëshmitari tha “nuk kam parë se me çka e kanë goditur, por di vetëm se është goditur, a me grushta a mjete të forta, unë nuk kam parë”.
Gjithashtu Murtezaj tha se konflikti në mes të Nuredinit dhe Enverit kishte filluar për shkak të fjalëve fyese.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e ngritur më 19 gusht 2022, të akuzuarit Faton Lushtaku, Arif Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku, akuzohen për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Sipas aktit akuzues, ata po ngarkohen se më 2 korrik 2022 në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, të pandehurit, së bashku kanë sulmuar personat zyrtarë, policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci, të cilët gjatë kryerjes se detyrës se tyre zyrtare, duke zbatuar kontrollin rutinë, kishin ndalë në komunikacion dëshmitarin Arbër Lushtaku, i cili ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “Golf VII” dhe i kanë shqiptuar një tiketë për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit- mosvënies së rripit të sigurisë.
Në aktakuzë thuhet se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirr në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku, i cili menjëherë vjen me automjetin e tij së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku i pandehuri Nuredin kishte filluar të fjaloset me zyrtarin policor Enver Berisha dhe se pas konflikti verbal Nuredini, Fatoni dhe Arifi iu kishin vërsulur të dëmtuarit Enver dhe me dorëz të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar, e kishin goditur të dëmtuarin Enver në kokë, i cili nga goditjet ishte përkulur për tokë, dhe të pandehurit i janë hedhur sipër mbi trup, duke e goditur me grushta dhe duke tentuar t’ia heqin armën nga dora, ku në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës, nga e cila ishte goditur i dëmtuari- polici Mërgim Geci në këmbën e djathtë tek nyja e gishtit të madh.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Enver Berisha kishte pësuar, gërvishtje lëkurore të gishtit të tretë të shuplakës së dorës së majtë, gjakderdhje nënlëkurore në regjionin muror të anës së djathtë të kokës, plagë qarëse, shqyrëse, ndërsa te i dëmtuari Mërgim Geci ishin shkaktuar lëndime trupore në regjionin e gishtit të madhe të shputës se këmbës se djathtë, me thyerje të shumëfishtë te kockës se shputës së gishtit të parë të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës se hedhur nga arma e zjarrit, e që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.
Për këto veprime, të akuzuarit Lushtaku po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.6 lidhur me par.2 e 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Gjithashtu, të akuzuarit Lushtaku po ngarkohen se kanë mbajtur në pronësi armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët – Ligjin 05/L-22 të Republikës së Kosovës, e për këtë ata po ngarkohen se kanë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, në bashkim real me veprën penale në pikë I të dispozitivit.
Aktakuza e Prokurorisë, ta akuzuarit Lushtaku i ngarkon edhe me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për shkak së të njëjtit më 2 korrik 2022, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm mbi armët, ashtu që me kondak të armës e kanë goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore.
Të tjera
Në Drenas, sot rivarrosen viktima e luftës – ishin pjesë e Listës për Persona të Zhdukur
Vuçeviq: Druaj se Kosova, para Procesit të Berlinit, do t’i sulmojë institucionet tona të përkohshme
Ish-koloneli i FSK-së: Propozimet e presidentes për ushtrinë janë briliante