Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, gjatë ditës së sotme ka njoftuar në lidhje me një hap historik në modernizimin e ushtrisë, duke pranuar fluturaket pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hap ky i cili e sjell Kosovën më afër standardeve të NATO-s duke forcuar partneritetin me SHBA-të.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci deklaroi se ky sistem i avancuar është pjesë e bashkëpunimit përmes programit Foreign Military Sale (FMS), ndërsa pagesa e tyre ishte kryer që në vitin 2021.
Sipas informatave online, një sistem Puma RQ-20, që përmban tre dronë dhe dy stacione bazë, kushton afro 250 mijë dollarë, investim ky i cili vjen për të përmirësuar aftësitë teknologjike dhe për të rritur sigurinë e shetit tonë
Por, çfarë është në fakt Puma RQ-20 dhe çfarë e bën atë kaq të veçantë?
Një dron i vogël, por me aftësi të mëdha
Puma është një dron taktik, i projektuar për misione zbulimi dhe mbikëqyrjeje. Ky sistem është i destinuar për operacione serioze ushtarake, duke ofruar video në kohë reale, sensorë elektro-optikë dhe kamera infra të kuqe për përdorim edhe gjatë natës, transmeton KosovaNews.
“Sytë e shqiponjës” – dizajni që dallon
Ky dron njihet ndryshe si “Sytë e shqiponjës”, për shkak të kamerave dhe sensorëve të tij të përparëm që ngjajnë me sytë e shqiponjës, duke ofruar pamje të gjerë dhe të detajuar.
Kjo veçori e bën dronin të duket agresiv dhe të ketë një fokus të saktë në çdo operacion mbikëqyrjeje.
Edhe pse duket i vogël , përmasat e tij janë mbresëlënëse për një dron taktik:
Hapja e krahëve arrin rreth 2.8 metra,
Gjatësia është rreth 1.4 metra dhe
peshon vetëm rreth 6 kilogramë.
Pra, është i lehtë për t’u transportuar dhe i shpejtë për t’u vendosur në terren.
Sa kohë qëndron në ajër?
Një nga pikat e forta të Puma-s është endurance – qëndrimi në ajër. Ai mund të fluturojë për më shumë se dy orë pa ndërprerje, duke ofruar pamje të detajuara dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të zonave të caktuara.
Ajo që e bënë me interesante, ky dron, nuk ka nevojë për pista ose infrastrukturë të madhe.
Pra, lëshohet nga dora ose përmes një katapulte të vogël, ndërsa rikthimi bëhet me një ulje të kontrolluar, madje disa versione mund të rikuperohen edhe në ujë.
Puma RQ-20, do t’i shërbejë ushtrisë së Kosovës për mbikëqyrje kufitare, monitorim të infrastrukturës kritike, mbështetje për misione kërkim-shpëtimi si dhe rritje të ndërgjegjësimit taktik gjatë operacioneve.
Me një rreze komunikimi deri në 20 kilometra, këta dronë ofrojnë një sy shtesë atje ku nevojitet më shumë.
Nga ana tjetër, ky sistem nuk vjen vetëm si pajisje, por si paketë e plotë: stacione tokësore, bateri, pjesë këmbimi dhe trajnim për ushtarët operatorë të Kosovës. Gjë që do të thotë se FSK do të ketë jo vetëm pajisjen, por edhe dijen për ta përdorur si duhet.
Lidhur me rastin, kryeministri Albin Kurti përgëzoi Ministrinë e Mbrojtjes për këtë arritje, duke theksuar rëndësinë e rritjes së sigurisë në vend.
“Më shumë sy në qiell, për më shumë siguri në tokë. Përgëzime Ministrisë së Mbrojtjes, urime Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kurti.
Të tjera
Osmani: Me Kosovën përgjithmonë
Kurti promovon `Programin e Kuponave` për edukim të hershëm
Dardanët treguan karakterit e vërtetë të tyre