Me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës dhe në kuadër të bashkëpunimit bilateral, një delegacion i lartë nga Universiteti Policor i Brandenburgut realizoi një vizitë zyrtare pesëditore në Kosovë.
Me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, nga data 5 deri më 9 shtator 2025, një delegacion i lartë nga Universiteti Policor i Brandenburgut (Gjermani) qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë. Kjo vizitë u realizua në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet dy institucioneve dhe në shënim të 26-vjetorit të Policisë së Kosovës, njofton Policia e Kosovës.
Delegacioni mori pjesë në ceremoninë qendrore të shënimit të Ditës së Policisë së Kosovës, dhe zhvilloi takime zyrtare me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kolonel Fehmi Hoti, si dhe me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës.
Gjatë takimeve u diskutuan projektet e përbashkëta, përparimi i arritur dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e trajnimit, edukimit dhe shkëmbimeve profesionale.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin dhe forcimin e këtij bashkëpunimi të suksesshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ndau letra falënderimi për përfaqësuesit kryesorë të delegacionit:
Dr. Heike Wagner – Presidente e Universitetit Policor Brandenburg, Imme Krüger – Zëvendëspresidente, Carsten Pranz – Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare, Sebastian Krah – Drejtor i Zyrës së Presidentes, Rreshter Driton Vrajolli – Atashe i Policisë së Kosovës në Gjermani
Ky vlerësim pasqyron mirënjohjen e Policisë së Kosovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka ndihmuar në avancimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të saj.
Në kuadër të vizitës, delegacioni realizoi edhe një vizitë protokollare në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku vendosi lule në emër të Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Universitetit Policor të Brandenburgut, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe demokraci.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejmë të partneritetit strategjik me Universitetin Policor të Brandenburgut, duke e shndërruar atë në një model të bashkëpunimit policor dhe akademik në Evropë – në shërbim të sigurisë, drejtësisë dhe demokracisë.
Të tjera
Avdyli i prerë: Kuvendi është i konstituuar
Identifikohen autorët e grafiteve në Bujanoc
Pesë ushtrimet që ju ndihmojnë të vraponi më shpejt