Trump ‘bllok’ Vuçiqit, ja si dështuan lobimet serbe dhe milionat e investuara! Vijnë sinjale pozitive për Kosovën

Së fundi, vëmendje të madhe, morën raportimet se presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka ndërprerë vizitën e tij në SHBA për “shkaqe shëndetësore”.

Vizita e Vuçiqit në SHBA u zhvillua disa ditë para se ai të marrë pjesë në Ditën e Fitores në Moskë më 9 maj. Kjo vizitë e tij në Rusi është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

E si duket, kjo “bllokadë” e vendosur nga SHBA, është pikërisht për këtë arsye, pra për afërsinë e tij me Rusinë.

Kjo gjë ngjalli reagime të shumta edhe në Kosovë, duke thënë se anulimi nuk kishte të bënte me sëmundje, por që Trump i vendosi një “bllokadë” Vuçiqit, derisa ky u pa si një sinjal pozitiv për Kosovën.

Por, se çfarë sinjali është kjo bllokadë e vendosur nga Trump ndaj Vuçiqit për Kosovën, folën njohësit e çështjeve.

 

Më shumë pyetje sesa përgjigje

E për këtë çështje, në një prononcim foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.

Mirsad Voca

Fillimisht, u shpreh se ndërprerja e vizitës së presidentit serb në SHBA, tregon sinjali jo të vogël se si qëndrojnë në fakt raportet mes SHBA dhe Serbisë.

Madje, tha se ky është një zhvillim pozitiv për Kosovën, pasi dihet se SHBA është mbështetësja më e madhe e pavarësisë së shtetit tonë dhe kështu do qëndrojnë pavarësisht përpjekjeve dhe lobimeve serbe.

“Lajmi për ndërprerjen e papritur të vizitës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në SHBA, nën arsyetimin zyrtar të “shkaqeve shëndetësore”, ka lënë pas vetes më shumë pyetje sesa përgjigje. Në diplomaci, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare të tensionuara, shenjat rrallë janë të rastësishme – ato janë shpesh gjuhë në vetvete. Dhe kjo ngjarje është lexuar nga shumë vëzhgues si një sinjal jo i vogël në raportet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, sidomos në kontekstin e afërsisë së deklaruar të Beogradit me Moskën.

Për Kosovën, ky mund të konsiderohet një zhvillim me simbolikë pozitive – jo sepse një derë mund të jetë mbyllur për Serbinë, por sepse një reflektim i vonuar për realitetin e rajonit mund të jetë duke u imponuar në qendrat e mëdha të vendimmarrjes. SHBA ka qenë mbështetësja më e fuqishme e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kjo lidhje nuk është një konjukturë politike, por një besëlidhje historike, që u kalit në ditët më të vështira të popullit të Kosovës. Prandaj, nuk ka arsye për panik – as për Kosovën, e as për rajonin”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Voca potencoi faktin se sa shumë është investuar në lobimet serbe për t’iu afruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo me qëllim për ta frikësuar Kosovën.

“Lobimi serb në Uashington, me gjithë investimet e shumta, nuk duket se ka sjellë ndonjë ndryshim rrënjësor në qëndrimet strategjike të SHBA. Ato lobime kanë qenë më tepër një taktikë frikësuese ndaj Kosovës sesa një politikë që gëzon mbështetje substanciale. Në fund, demokracitë e konsoliduara, përkundër pengesave dhe interesave të përkohshme, arrijnë të ruajnë një koherencë morale në politikën e tyre të jashtme, sidomos në raport me vlerat themelore të lirisë, të drejtës dhe të drejtave të njeriut.

Por në këtë pikë duhet të theksojmë edhe një fakt më të thellë: orientimi i vërtetë perëndimor i Serbisë nuk do të duhej të jetë shqetësues për Kosovën. Përkundrazi, një Serbi që largohet realisht nga orbita e Rusisë dhe afrohet me standardet demokratike të Evropës dhe SHBA-së, do të ndihmonte në stabilizimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. E vërteta është se ky rajon, i lënë shpesh në margjina të BE-së, ka mbetur peng i një politike që ngjason me atë të viteve 1990 – një politikë që prodhon frikë, destabilizim dhe iluzione për një ekspansionizëm të vonuar”, nënvizoi ai.

Tutje, doktori i gjeopolitikës shtoi se anulimi i vizitës së Vuçiq në SHBA ndërlidhje me afërsinë me Putinin.

“Në këtë kontekst, lajmi për vizitën e Vuçiqit në Moskë për përkujtimin e çlirimit nga nazizmi, përkrah një Putin të izoluar nga bota demokratike për shkak të agresionit të paprecedent në Ukrainë, është më shumë se një akt simbolik – është një deklaratë gjeopolitike që vë në dyshim sinqeritetin e çdo përpjekjeje serbe për integrim euroatlantik.

Ndodhet në një pikë kthese, ku rregullat e rendit ndërkombëtar janë sfiduar si rrallëherë më parë. Prandaj, është jetike që shtetet e vogla por të vendosura si Kosova të qëndrojnë krah për krah me partnerët e saj strategjikë, me qartësi, mençuri dhe dinjitet. Nuk është vetëm çështje e politikës së jashtme – është çështje e drejtimit historik të një populli që ka zgjedhur rrugën e lirë dhe demokratike të jetës”, përfundoi Mirsad Voca.

Zogaj: Vuçiqi është një maçok sllav shumë i përshtatshëm për shfaqje cirku

Kurse, publicisti Skënder Zogaj tha se Vuçiq nuk është asgjë më shumë si një kriminel ordiner dhe një ish-ministër i Millosheviqit.

Image

Skender Zogaj

Ai në bashkëbisedimin e tij u përmendi lidhje me Rusinë dhe qasjen e BE-së ndaj politikave serbe, ku tha se edhe për këtë shkak ia ndërpreru SHB-ja vizitën Vuçiqit, sepse nuk ka kohë me të.

Kam bindjen se Vuçiqin janë duke e faktorizuar së tepërmi, duke e ndjekur çdo hap e çdo fjalë të tij, e duke e harruar se ky është një kriminel ordiner i dëshmuar, si ministër i Millosheviqit në kohën e masakrave më të trishtueshme ballkanike.

Vendet serioze demokratike e kanë “përkëdhelur” bukur gjatë jo rastësisht, sepse Vuçiqi është një maçok sllav shumë i përshtatshëm për shfaqje cirku, dhe si i këtillë është mbajtur në pushtet, sepse, kush i ofron mi më të madh andej mjaullon!

BE-ja e di këtë prandaj ia ka lejuar komoditetin që të ushqehet me ëndrra të Rusisë, por duke ia bërë me dije se, perspektiva serbe është integrimi në BE dhe përkrahja amerikane! Kështu është qe 25 vjet, por tash po ndryshojnë koordinatat strategjike dhe SHBA po ndërmerr hapa të përforcimit të saj, prandaj, kërkesat amerikane janë decidive. Të gjithë ata që duan të hanë me dy lugë, kanë me qenë të sëmure dhe kanë me i ndërpre vizitat ose ua ndërprenë SHB-ja, sepse nuk ka kohë me u marr me mbeturina ordinere postkomuniste, siç është Vuçiqi!”- shpjegoi ai.

Gjithashtu, tha se Kosova duhet të vazhdojë të ruaj lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe  të realizojë politikat dhe planet në koordinim me aleatin më të madh të saj.

“Mirëpo, ndërprerja e vizitës së Vuçiqit në SHBA nuk është kurrfarë sinjali i mirë për Kosovën, madje nuk ka fara-fare lidhje me Kosovën! SHBA-të nuk bëjnë taktizime për interesa e sinjale jashtë amerikane, por llogarisin në gjendjet reale të çdo vendi dhe raportet konkrete e të drejtpërdreja bilaterale! Kosova e ka miqësinë e Amerikës, e cila e ka çliruar nga Serbia! Tash Kosova duhet të tregoj se është e pa hamendje në strategjinë amerikane, jo për Amerikën, por për vetveten! Kjo do të thotë Kosova duhet ta luaj rolin e saj duke e krijuar shtetin ligjor demokratik, duke u angazhuar pa hile që të realizojë detyrat që i përkasin në planin e brendshëm dhe, me stabilitetin e vet shtetëror të dëshmojë se e ka vendin në botën e përparuar perëndimore. Kjo nënkupton që të jetë sa më larg mbeturinave diktaturiale dhe konkretisht sa më larg Rusisë!” – përmbylli Skënder Zogaj