Administrata Trump për vite me radhë e ka quajtur presidentin venezuelian Nicolas Maduro kriminel dhe është përpjekur ta ndjekë penalisht atë përmes sistemit ligjor amerikan.
Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, Maduro u akuzua në Distriktin Jugor të New Yorkut për “narkoterrorizëm”, komplot për importimin e kokainës dhe akuza të ngjashme.
Administrata Trump ofroi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e udhëheqësit venezuelian, shkruan CNN.
Ky shpërblim u rrit në 25 milionë dollarë në ditët e fundit të administratës Biden, në fillim të janarit 2025, dhe u rrit në 50 milionë dollarë në gusht 2025 pasi Trump mori detyrën për një mandat të dytë dhe e shpalli Cartel de los Soles si një organizatë terroriste të huaj.
Administrata ka pretenduar se Maduro është udhëheqësi i atij grupi, të cilin e përshkruan si një organizatë kriminale.
“Ky pretendim se regjimi i Maduros është një organizatë narkoterroriste nuk bazohet në biseda apo spekulime politike. Është bazuar në provat e ofruara një jurie të madhe në Qarkun Jugor të New Yorkut që ngriti një padi”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një konferencë për shtyp muajin e kaluar.
Trump njoftoi se Maduro ishte kapur “në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së” dhe premtoi më shumë detaje më vonë gjatë ditës.
Senatori republikan amerikan Mike Lee i Utah tha se foli me Rubion dhe diplomati i lartë amerikan i tha atij “se Nicolás Maduro është arrestuar nga personeli amerikan për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara”.
Zëvendës Sekretari i Shtetit Christopher Landau tha se operacioni i administratës solli “një agim të ri për Venezuelën”.
“Tirani është zhdukur. Tani ai — më në fund — do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, tha Landau .



Të tjera
Ramos shumë afër ta blejë klubin ku e filloi karrierën
Ullinj, presh dhe portokaj -Sallata që duhet ta provoni patjetër
Tri llojet më të zakonshme të ndarjes – cilën e keni përjetuar ju?