Në një deklaratë të lexuar nga një prezantuese grua në televizionin shtetëror iranian të enjten, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, ajatollah Mojtaba Khamenei, djali i liderit të vrarë Ali Khamenei, foli për herë të parë qëkurse u emërua më 8 mars.
Megjithatë, Khamenei i ri nuk është parë në publik asnjëherë prej para sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, të cilat vranë babanë e tij dhe zyrtarë të tjerë iranianë më 28 shkurt.
Mojtaba Khamenei tha se Irani do të hakmerret për gjakun e martirëve të tij, do ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe do t’i sulmojë bazat amerikane.
Ai gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i mbyllin të gjitha bazat e tyre në rajon.
Ngushtica, e cila kalon pranë bregdetit të Iranit dhe transporton rreth një të pestën e naftës botërore, duhet të mbetet e mbyllur për të ushtruar trysni ndaj armikut, tha ai.
Lufta që filloi me një fushatë bombardimesh nga SHBA-ja dhe Izraeli në fund të shkurtit deri tani ka vrarë rreth 2.000 njerëz dhe ka shkaktuar atë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e përshkruan si ndërprerjen më të madhe të furnizimit global me energji në histori.
Çmimet e naftës u rritën përsëri mbi 100 dollarë për fuçi, pasi kishin rënë më herët gjatë javës kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha se lufta do të përfundonte së shpejti.
Irani ka deklaruar se nuk do të lejojë kalimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, rruga më e rëndësishme e tregtisë energjetike në botë, derisa të ndalen sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.
Më ditë më herët, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara e kanë “fituar” luftën kundër Iranit, por shtoi se forcat ushtarake amerikane do t’i vazhdojnë sulmet derisa të përfundojë e gjithë puna.
“Asnjëherë nuk parapëlqehet të thuhet shumë herët se fituam. Ne fituam. Qysh në orët e para”, tha Trump në një tubim të mbajtur në Kentaki më 11 mars./rel



Të tjera
Antoine Semenyo zgjidhet lojtari i muajit në Premierligë
Përdorimi i telefonit për pesë orë në ditë lidhet me obezitet
Haxhiu e O’Malley flasin për mundësitë e partneritetit me sistemin e OKB-së