“Veç me të vra ty kena me ardhë”, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit për kanosjen e ministrit Peci

Në mungesë të të akuzuarit Blerim Avdiu, ka dështuar të mbahet seanca fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti akuzohet se përmes rrjetit social Facebook ka kanosur ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, njëherësh deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ndaj Avdiut, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Gjykatësja e rastit, Valbonë Fejza, tha se i akuzuari ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt përmes procesverbalit të 11 prillit 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mungesën nuk e ka arsyetuar dhe njëkohësisht nuk kërkuar as shtyrje për ndonjë rrethanë të paparashikuar… ndërsa për të pandehurin Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim”, tha gjykatësja Fejza.

Ndryshe, prezent në seancë ishin prokurori i shtetit- Paulin Pashku, i dëmtuari Faton Peci, si dhe mbrojtësi i Avdiut, avokati Hamdi Podvorica.Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 mars 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Avdiut, të cilin e ngarkon se më 2 mars 2025 me rastin e postimit të një fotografie në rrjetin social “Facebook” nga i dëmtuari Faton Peci- si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me aktivitetet e tij si ministër, Avdiu nga profili i tij në “Facebook” me dashje ka kanosur seriozisht të dëmtuarin, duke i dërguar mesazhe fyese dhe kanosëse.

Andaj, për këto veprime, Avdiu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.