“Videoja pornografike e njeriut të afërt të Kurtit”, ish- drejtori i KEK-ut Nagip Krasniqi e pranon se fjala është për të
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar në vitin e kaluar nën dyshimet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi të ndikimit” dhe “Konfliktit të interesit”, ka pranuar se bëhet fjalë për të lidhur me raportimet, ku thuhet se një zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje është i përfshirë në një skandal shumë serioz.
Ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi thotë se raportimet për ‘Videon e pornografike të njeriut të afër të Kurtit’, kanë të bëjnë me të dhe këtë e quan fabrikim.
Krasniqi përmes një shkrimi të gjatë në Facebook thotë se ky fabrikim është bërë si hakmarrje që nuk morën pozitat në Prokurori, nuk iu punësuan burrat, gratë e të dashurat/it e tyre.
“Në prillin e vitit 2023, Prokuroria Speciale autorizoi policët hetues të bastisnin banesën time, zyrën time, konfiskuan gjësende të miat personale, laptopin e telefonin tim. Prej andej ata patën çasje në e-mailin dhe të gjitha adresat e mia”, tha ai.
Ai thotë se ende sot, dy vjet pasi që i kanë nisur hetimet nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë aktakuzën për të cilën thotë se e mbajtën të burgosur.
Kujtojmë se gazetari Parim Olluri, ditë më parë, raportoi se Gazeta Insajderi e posedon një video ku aty shihet personi i afërt i kryeministrit Albin Kurti, duke biseduar me një vajzë që dyshohet se është minorene.
“Ai dyshohet se është duke biseduar me një vajzë minorene, njeriu i besuar Kurtit në videon që e posedon Insajderi shfaqet I zhveshur, dhe i tregon asetet e tij gjatë bisedes me vajzën që dyshohet se është minorene”.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Krasniqit:
Të dashur miq, shokë e ish-kolegë,
Të nderuar dashamirës,
Ka një kohë që në mënyra të ndryshme dhe nga adresa në dukje të ndryshme kam marrë porosi shantazhuese. Pas më shumë se 1 viti po qartësohen gjithnjë e më shumë qëllimet dhe burimet.
Paraprakisht nga burime të afërta me Prokurorë të Prokurorisë Speciale, më pas nga policë hetues, prej më shumë se 1 apo 2 muajve nga zytarë të partive opozitare dhe prej një kohe të gjatë prej pronarëve të disa portaleve është duke u apostrofuar emri im.
Para tre ditësh njëri prej tyre veçse e paraqiti një rrëfim për “videon” intime të “një zyrtari të lartë”. Të njëjtët me paramendim e kanë shtuar përgjatë kohës edhe termin “minorene” apo “e mitur”.
Të dashur miq, shokë e ish-kolegë,
E kanë fjalën për mua.
Tashmë prej ditësh qarkullojnë në telefonat e njëri-tjetrit politikanë, hetues, prokurorë e pronarë portalesh një material video bashkë me shënimin “ky është ish drejtori i KEK-ut”. Dyshohet që është me një të “mitur.”
Ky është fabrikimi më i fundit. Dhe ua kuptoj motivet.
Disa si hakmarrje që nuk morën pozitat në Prokurori, disa sepse janë mësuar ti shantazhojnë njerëzit me video e mesazhe, ata të tjerët sepse u ka „djegur“ se nuk e marrin më hisen e tyre prej 320 mijë euro nga KEK-u në emër të „blerjes së mediave“ si më parë dhe nuk i punësojnë burrat, gratë dhe të dashurat e të dashurit e tyre, dhe disa nga opozita që duan të përdorin çdo kartë të pistë për një grimë pushtet.
Dhe nuk kursehen që të godasin nën brez, të godasin familje, fëmijë dhe farefis.
Në prillin e vitit 2023, Prokuroria Speciale autorizoi policët hetues të bastisnin banesën time, zyrën time, konfiskuan gjësende të miat personale, laptopin e telefonin tim. Prej andej ata patën çasje në e-mailin dhe të gjitha adresat e mia.
Praktikisht, meqë shteti e ligji ua ka besuar këtë detyrë, ata morën në posedim të gjithë jetën time private, përveç asaj zyrtare e publike. Të cilat, haptazi nuk po përdoren për çështje hetimore por për fushatë të qartë e të pistë elektorale dhe baltosëse.
Pra, në vend që prokuroria dhe policia hetuese të ruaj jetën private dhe integritetin tim personal siç parashihet me çdo vlerë juridike e me ligj, ata shndërrohen në segmente e vegla shantazhuese prej brenda institucioneve, kërcënues e frikësues ndaj jetës së qytetarit dhe konkretisht jetës sime dhe familjës sime, duke fabrikuar e më pas shpërndarë ato tek pronarë portalesh.
U burgosa pa asnjë fakt a dyshim të bazuar, prej 19 prillit deri më 15 shtator 2023.
Ende sot, dy vjet pasi që i kanë nisur hetimet nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë aktakuzën për të cilën me mbajtën të burgosur.
Ende sot nuk dinë as ata vet se çfarë kam dëmtuar apo çfarë ligji nga sfera penale kam shkelur.
Në këtë gjendje, të sinkronizuar për të fabrikuar filluan fushatën e re publike, nga “i korruptuar” në “i degjeneruar”.
Tani u ka mbetur dhe sfera private e intime e jetës time. Shpresa e fundit për të më goditur e baltosur.
Pra, brenda kësaj kohe sulmi u bë më brutal po i devijuar krejtësisht prej se si u nis në fillim: Kaluan nga korrupsioni e dëmtimi i ndërmarrjes publike te materialet e mia intime e private. Nagipi nuk e paska sulmuar interesin publik, prandaj le ta sulmojmë ne Nagipin. Për ta dëmtuar VETËVENDOSJE!n normalisht.
Të gjithë e dinë që unë nuk jam targeti përfundimtar. Të gjithë këta bashkarisht dhe në sinkron po shpresojnë që nëpërmjet diskreditimit tim të godasin Kryeministrin Albin Kurti, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Partinë “Lëvizja VETËVENDOSJE!”.
Po meqë janë futur tek baltosja e jetës intime e private është dëshmi e qartë se nuk ju ka mbetur asgjë tjetër nga saga e gjatë e shpalljes “i korruptuar”.
Andaj lirisht le t’i nxirrin të gjitha materialet çfarë kanë fabrikuar ata që shteti jua ka besuar detyrën për të zbatuar ligjin dhe për ta mbrojtur çdo qytetar.
Unë nuk jam shantazhuar as kur u burgosa padrejtësisht, as kur më dërguan porosi e aq më pak tani.
Unë nuk paguaj as nuk bëhem palë me ata që shtetin e Kosovës dhe detyrën e kanë të llogaritur si plaçkë.