Vjen reagimi i Zagrebit zyrtar pasi Vuçiq përmendi sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

Vjen reagimi i Zagrebit zyrtar pasi Vuçiq përmendi sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq, ka bërë një reagim, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq akuzoi vendin e tij një ditë më parë se po udhëheq një aleancë ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë kundër Serbisë.

Siç kujtojnë mediat kroate, përcjell Telegrafi, të hënën, Vuçiq akuzoi Kroacinë se po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë “për shkatërrimin e tij dhe se kjo përfaqëson një kërcënim ushtarak”.

Vuçiq tha se duhet të jetë e qartë për të gjithë se kjo “nuk është një aleancë kundër Austrisë”, kështu që ai “ka detyrimin t’ua shpjegojë këtë serbëve”.

“Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, ka pretenduar Vuçiq, duke njoftuar “forcimin e aftësive ushtarake të Serbisë”.

Dhe duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratat e Vuçiqit, zëvendëspresidenti kroat bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në fqinjësi.

“Kroacia ka rrugën e vet, ajo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare – e bën në mënyrë transparente. Sa i përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe në fqinjësi, në këtë ditë mund t’ju them vetëm se, megjithëse festojmë Krishtlindjet sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet ta kemi të përbashkët”, ka thënë Bozhinoviq pasi mori pjesë në pritjen tradicionale ceremoniale të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) me rastin e festimit të Krishtlindjeve Ortodokse.

Siç vënë në pah mediat kroate, ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë mbi forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në mars të vitit të kaluar.

Deklarata, e cila është e hapur edhe për vendet e tjera, thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Dokumenti promovon aftësitë mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, duke forcuar ndërveprimin përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, duke luftuar kërcënimet hibride dhe duke mbështetur plotësisht integrimin euroatlantik, tha në atë kohë Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.