Vetëm disa ditë pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se Serbia ishte mashtruar gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti Aleksandar Vuçiq gjithashtu ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar për situatën e krijuar në Kosovë. Në një fjalim të mbajtur në Sremski Karlovci me rastin e përvjetorit të operacionit “Oluja”, Vuçiq shpjegoi në mënyrë figurative se si ishte mashtruar gjatë negociatave.
Megjithatë, sipas analistëve dhe bashkëbiseduesve të gazetës Nova, si Vuçiq ashtu edhe Daçiq kanë pranuar publikisht se kanë shkelur Kushtetutën e Serbisë.
Që nga viti 2013 kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, Serbia nuk ka arritur asnjë sukses konkret në dialogun me Kosovën. Sipas kritikëve, Serbia tashmë ka humbur kontrollin ne katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ndërkohë, e vetmja gjë që është premtuar nga – krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – nuk është realizuar deri më sot.
Vuçiq, në fjalimin e tij, akuzoi hapur vendet perëndimore duke thënë:
“Para tre vitesh e gjysmë pati zgjedhje në veri të Kosovës. Ata i njohën zgjedhjet me vetëm 2.5% pjesëmarrje. Dhe kjo paska qenë demokraci. Turp t’ju vijë, maskarenj! Më çuan në Moldavi për të më thënë ‘prit pak, do ketë zgjedhje të reja, do fitojnë serbët’. A ndodhën zgjedhjet? Jo!”
Më tej, ai krahasoi bashkëpunëtorët serbë të institucioneve të Kosovës me bashkëpunëtorët e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas deklaratave të Vuçiqit dhe Daçiqit, Komisioni Evropian reagoi duke sqaruar se të dyja palët, Serbia dhe Kosova, kanë hyrë në marrëveshjet “në mënyrë të vetëdijshme dhe me vullnet të lirë”, dhe se nga të dyja palët pritet që të kontribuojnë në një atmosferë pajtimi dhe normalizimi.
Çfarë është nënshkruar në Bruksel?
Marrëveshja e Brukselit lidh përparimin e Serbisë drejt integrimit në BE me dialogun me Kosovën. Pika më e rëndësishme e marrëveshjes ishte krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Gjithashtu, marrëveshja parashihte integrimin e policisë serbe në kuadër të sistemit kosovar. Por pas përshkallëzimit të situatës, përfaqësuesit serbë u tërhoqën nga institucionet.
Sipas Aleksandar Popov nga Qendra për Politikë Rajonale, nuk është komuniteti ndërkombëtar ai që e ka mashtruar Vuçiqin, por ai vetë. Ai thekson se për çdo hap të marrë nga Lista Serbe në Kosovë – si largimi nga institucionet apo heqja e uniformave – qëndron vendimi i Vuçiqit.
“Për një simbolikë si targat, Vuçiq nxiti përshkallëzim, që më pas Serbia vetë e pranoi pa kushte. Si mund të mos e dijë presidenti pasojat e një vendimi të tillë? Nëse me të vërtetë është mashtruar, duhet të japë dorëheqje”, tha Popov.
Eksperti tjetër, Dragisha Mijaciq nga organizata InTER, thotë se pretendimi se “jemi mashtruar” është një frazë e përdorur tradicionalisht nga politikanët serbë për të fshehur mungesën e rezultateve në politikën e jashtme.
Çfarë sollën marrëveshjet e mëvonshme?
Pas Marrëveshjes së Brukselit, janë nënshkruar dy marrëveshje të tjera kryesore:
Marrëveshja e Uashingtonit (2020): Me ndërmjetësimin e Donald Trump, u arrit një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja përfshinte edhe çështje që nuk kishin lidhje direkte me konfliktin – si njohja e Hezbollahut si organizatë terroriste dhe zhvendosja e ambasadave në Jerusalem.
Marrëveshja e Ohrit (2023): Ky dokument, megjithëse u pranua vetëm gojarisht, i afroi më shumë palët drejt njohjes de facto të Kosovës. Serbia u zotua të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, BE-në dhe NATO-n, si dhe të njohë dokumentet, simbolet dhe targat e Kosovës.
Megjithatë, Serbia më vonë tentoi të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që bie ndesh me nenin 4 të marrëveshjes së Ohrit, i cili ndalon këtë lloj kundërshtimi.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit