Vuçiq spiunon BE-në, Brukseli mbyll sytë – Rasti Popoviq zbardh hipokrizinë

Më 18 korrik kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec, e kishte cilësuar atë si organizatë terroriste dhe veprimet e saja i kishte krahasuar me ato çka po ndodhin në Gazë.

Igor Popoviq ndihmës i drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, madje kishte akuzuar institucionet ndërkombëtare për  “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.

Nuk ka kaluar as pak orë nga këto deklarime, Popoviq ishte arrestuar dhe tashmë po hetohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Disa ditë pas arrestimit të Popoviqit, në media është transmetuar një audio- incizim ku ai ka incizuar fshehurazi/përgjuar për llogari të BIA-s serbe, një takim zyrtar në Bruksel mes përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Takimi është mbajtur më 17 shtator 2020.

Më tej në takim, dëgjohet një burrë që fton Igor Popoviqin për të prezantuar, ndërsa prezantimi zhvillohet më pas nga një përfaqësuese me emrin Nevena.

Në këtë prezantim flitet për “pronat e Republikës së Serbisë” në territorin e Kosovës, duke përfshirë ato të Kishës Ortodokse Serbe dhe komuniteteve joshqiptare. Nevena thekson se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon “dialog politik në nivel të lartë dhe marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme”.

“Do të fillojë me temën e parë, fushëveprimi dhe struktura e çështjes së pronave. Në terme të gjera, çështja e pronave mbulon pronat e Republikës së Serbisë, të operatorëve ekonomikë të Republikës së Serbisë, në territorin e provincës autonome të Kosovës ndërmarrjet që janë pronë e shtetit, kompani dhe korporata private që i takojnë serbëve dhe popullatës jo-shqiptare në Kosovë dhe pronat e Kishës Ortodokse Serbe. Niveli politik i zgjidhjes së çështjes së pronave do të nënkuptonte dialog të nivelit të lartë që do të arrijë vendime përfundimtare dhe ligjërisht obliguese në të gjitha rastet, të cilat nuk mund të zgjidhen në nivele më të ulëta”, dëgjohet të thotë në anglisht përfaqësuesja serbe para zyrtarëve të BE-së”.

Pas përfundimit të prezantimit, incizimi vazhdon me biseda të lira në ambientet e ndërtesës ku po mbahej takimi, përfshirë diskutime mbi kufizimet e pandemisë dhe oraret e punës.

Në një pjesë tjetër të audio-incizimit, dëgjohet vetë Igor Popoviq duke komentuar: “Mendoj se deshën të eksplodojnë kur e dëgjuan atë (prezantimin)”. Ndërsa njëra nga bashkëbisedueset e pyet: “A ia dolët krejt ta merrni?”, me tjetrën që shton “e aktivizuam”. Sipas Popoviqit, rreth “dhjetë minuta” sa ka zgjatur takimi, e kanë incizuar të tërin.

Veprimi i Popoviqit është duke kaluar në “heshtje” nga Brukseli, ndërsa njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se investimi i qeverisë dhe presidentit të Serbisë për të manipuluar dhe korruptuar zyrtarë e drejtues të Komisionit Europian është i jashtëzakonshëm.

Sipas tyre, BE-ja është rob i stabilokracisë së Vuçiqit. Për Brukselin është më e lehtë të mbyllë sytë dhe të akuzojë Kosovën, sesa të përballet me realitetin.

 

Qëllimi i incizimit, heshtja e BE-së dhe mos sanksionimi i Serbisë

Profesori universitar Enver Bytyçi thotë se Serbia po të kishte mundësi do të shkaktonte çdo muaj trazira.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bytyçi shprehet se në 26 vitet e fundit Serbia gjithçka ka organizuar me një skenar të posaçëm dhe me një synim të qartë që të revokojë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës.

“Igor Popoviq është në arrest në Kosovë për shkak se ai mbajti një fjalim fyes për UÇK-në dhe luftën çlirimtare të shqiptarëve në vitet 1997-1998. Erdhi nga Beogradi si përfaqësues zyrtar i të ashtuquajturit Drejtor të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe nxiti urrejtje, dasi dhe konflikt midis shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe pakicës serbe në shtetin e Kosovës. Kjo nxitje e urrejtjes, dasisë dhe konfliktit ndëretnik në Kosovë ka qenë politikë e vazhdueshme e Serbisë. Por në 26 vitet e fundit gjithçka është organizuar me një skenar të posaçëm dhe me një synim të qartë – të revokojnë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Serbia po të kishte mundur do të kishte shkaktuar çdo muaj trazira si më 17-18 mars 2004 ose akte terroriste si ai i Banjskës më 23 shtator 2023. Retorika dezintregruese dhe fjalimet luftë-nxitëse të Igor Popoviqit janë përsëritur me qindra herë. Vetë Aleksandër Vuçiq vinte në veri të Mitrovicës dhe mbante fjalime si Popoviq. Tani ka ardhur dita që këta politikanë destruktivë t’i nënshtrohen ligjit, të marrin përgjegjësi penale për atë që bëjnë. Liderët serbë janë toleruar tej mase me aventurat e tyre të fjalimeve dhe thirrjeve për luftë e konflikt midis serbëve dhe shqiptarëve. I ka toleruar Kosova vetë, por edhe Europa dhe ndërkombëtarët. Tani është mbush kupa. Mjaft është gjithnjë mjaft”, shprehet Bytyçi.

Image

Profesori universitar Enver Bytyçi

Incizimi fshehurazi në takim në Bruksel, sipas Bytyçit, është fakt i padiskutueshëm i qëndrimeve anti- evropiane të qeverisë dhe presidentit të Serbisë.

Ai thotë se me këtë rast përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë mundësi që të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj Beogradit.

“Por është interesant se kur u arrestua Igor Popoviq reagoi Brukseli dhe bëri thirrje që të lirohej. Më pas dikush publikoi një video ose audioinçizim të këtij provokatori në Bruksel. Kur më 17 shtator 2020 po mbahej takimi i radhës midis përfaqësuesve të Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përfaqësuesve të BE-së, Popoviq paska inçizuar fshehurazi atë takim për llogari të shërbimit sekret të BIA-s. Sigurisht që kjo është një ngjarje shumë e rëndë për autoritetin e Brukselit. Është gjithashtu edhe një fakt i padiskutueshëm të qëndrimeve anti-europiane të qeverisë dhe presidentit të Serbisë, pa dijeninë e të cilit nuk mund të ndodhte kjo.  Me këtë rast përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë mundësi që të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj Beogradit. Marrëdhëniet midis tyre nuk mund të jenë marrëdhënie besimi. Përfundimisht politika serbe ka dëshmuar se bën veprime që i takojnë Luftës së Ftohtë. Madje unë nuk besoj se Tito do të lejonte veprime si këto në zyrat e Tregut të Përbashkët Europian. Serbia bën gjithçka. Po pse ajo ka kryer një akt të tillë të shëmtuar? Sepse dëshiron që të shantazhojë me inçizime të tilla. Zakonisht në tryeza të tilla flitet në mirëbesim. Nganjëherë toleranca tejkalon realdiplomacinë. Por gjithçka mbetet konfindenciale. Në konfendencialitet mund të thuhet ndonjë kritikë edhe për kundërshtarin, në rastin konkret për përfaqësuesit e Kosovës”, deklaron profesori.

Incizimet e Popoviqit janë bërë me qëllim që t’i bëhet presion BE-së, thotë Bytyçi, gjersa shton se Serbia nuk bën asnjë veprim pa një plan dhe projekt të detajuar, papërcaktuar qëllimin dhe mjetet e arritjes së atij qëllimi.

 “Autoritetet e Beogradit kanë dashur të kenë në dorë inçizime të tilla, me qëllim që më vonë të bënin presion te BE. T’u thuhej se “Ja, ju vetë na keni thënë ose na keni premtuar këtë ose atë”! Ndërkohë përfaqësuesit e palës serbe, duke e ditur se po inçizoheshin do të ishin shumë të kujdesshëm në bisedime, ndërsa pala e BE-së, në padijeni të këtij fakti do të lëshonte ndoshta gojën pak më shumë se duhej në dobi të interesave serb. Nga ana tjetër ajo kohë ka përkuar me nënshkrimin në zyrën ovale të presidentit amerikan të marrëveshjeve midis SHBA-ve nga njëra anë dhe të Kosovës e Serbisë nga ana tjetër. Ka shumë mundësi që në Bruksel dikush të kishte pakënaqësi për atë zhvillim dhe shërbimi diplomatik dhe ai sekret i Serbisë oriste ndonjë shpërthim kundër SHBA-ve nga ndonjëri prej përfaqësuesve të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi. Nëse do të ndodhte ai shpërthim do të ishte interes serb që të dokumentohej. Serbia nuk bën asnjë veprim pa një plan dhe projekt të detajuar, pa përcaktuar qëllimin dhe mjetet e arritjes së atij qëllimi. Fatkeqësisht për Serbinë, mjetet janë jo vetëm të paligjshme, por edhe të dënueshme nga pikëpamja politike dhe diplomatike. Të instalosh përgjues në zyrat e BE-së do të thotë të sillesh si armik i këtij unioni. As Stalini nuk ka mundur t’u vendoste përgjues Çurçillit dhe Ruzvelti në kohën e bisedimeve në Jaltë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. E bën këtë në kohët moderne Aleksandër Vuçiq, duke përdorur Igorin e vockël”, thekson Bytyçi.

Ai shton se Brukseli vazhdon ta qortojë Kosovën, kur provokimet i bën pala serbe dhe se kjo e fundit ka blerë edhe heshtjen e Tiranës.

“Dhe çfarë ndodh? Paradoksalisht Brukseli ka shënjestruar me sanksione Kosovën, e ka qortuar vazhdimisht dhe vazhdon ta qortojë qeverinë e Kosovës, ndërkohë që provokimet edhe në BE i bën pala serbe. Kjo do të thotë se investimi i qeverisë dhe presidentit të Serbisë për të manipuluar dhe korruptuar zyrtarë e drejtues të Komisionit Europian është i jashtëzakonshëm. Vuçiq ka blerë edhe heshtjen e Tiranës. Dhe Serbia në këtë pikëpamje është në avantazh. Por e vërteta dihet në Bruksel dhe në SHBA. E drejta është në anën e Kosovës. Madje, sa më shumë veprime të tilla diversive bën Beogradi, aq më shumë zbulohet e drejta e Kosovës dhe për Kosovën. Kësaj i thonë se karma kthehet në vendin e vet. Agresiviteti i Serbisë kundër Kosovës, metodat serbe të survejimit dhe provokimit të shqiptarëve shtrihen deri në Bruksel”, përfundon profesori.

Bashkimi Evropian pas arrestimit të Igor Popoviq ka thënë se po ndjek nga afër rastin, gjersa kishte shtuar se çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale.

Në një përgjigje me shkrim nga zyra e shtypit e BE-së thuhet se pritet respektim i plotë i sundimit të ligjit dhe i procedurave të rregullta ligjore.

Njëkohësisht, zyrtarët evropianë tërheqin vërejtjen se duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse – siç theksojnë – vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim i qëndrueshëm në këtë proces.

Ndërsa, pas publikimit të incizimit një reagim nga BE nuk ka pasur.

BE mbyll sytë, Kosova ta shfrytëzojë skandalin që ta demaskojë Serbinë

Analisti Eduard Gashi, thotë se rasti i Popoviqit është turp për Brukselin.

Sipas tij, BE u përdhos në shtëpinë e saj dhe duhet të zgjohet.

“Ky skandal i Igor Popoviqit është një turp për Brukselin, jo për Kosovën. Faktet janë të thjeshta: një zyrtar i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një takim të ndërmjetësuar nga BE-ja, është kapur duke përgjuar fshehurazi për llogari të shërbimit sekret serb (BIA). Ky nuk është një gabim i pafajshëm – është akt spiunazhi, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj besimit të BE-së dhe ndaj vetë procesit të dialogut. Pse duhet të zgjohet Brukseli? BE-ja u përdhos në shtëpinë e vet. Nëse Serbia ka guxim të përgjojë takime në Bruksel, imagjinoni çfarë bën në terren kundër Kosovës. Çfarë vlere ka më neutraliteti i BE-së, nëse ajo hesht edhe kur dikush i shkel në fyt? Serbia po e trajton dialogun si operacion të shërbimeve sekrete, jo si proces paqeje. Vuçiqi po luan me kartën e “stabilitetit”, ndërsa në prapaskenë dërgon njerëz të BIA-s që të përgjojnë ndërmjetësuesit evropianë. A është ky partneri “strategjik” që Brukseli e mbron me çdo kusht? Dy standarde të neveritshme. Kur Kosova arreston një spiun të kapur në flagrancë, Brukseli del me “shqetësime” për “klimën e dialogut”. Ku janë reagimet për faktin se Serbia po tallet me BE-në dhe me rregullat diplomatike?”, deklaron Gashi për “Bota sot”.

Image

Analisti Eduard Gashi

Ai thotë se, për Brukselin është më lehtë të mbyllë sytë dhe të akuzojnë Kosovën dhe se ata frikësohen nga rrëzimi i fasadës së dialogut.

 “Pse nuk pati reagime? Sepse BE-ja është rob i stabilokracisë së Vuçiqit. Për Brukselin është më e lehtë të mbyllë sytë dhe të akuzojë Kosovën, sesa të përballet me realitetin: Serbia është problem, jo zgjidhje. Sepse frikësohen nga rrëzimi i fasadës së dialogut. Pranimi i këtij skandali do të thotë të pranohet se njëra palë (Serbia) nuk është e sinqertë. Sepse Kosova trajtohet si pala e dobët, ndaj është më e lehtë të kritikohet ajo. E vërteta që duhet të thuhet troç: Kosova ka bërë detyrën e saj duke e arrestuar Popoviqin. Çdo shtet normal do të bënte të njëjtën gjë – nëse në Gjermani apo Francë kapet dikush duke spiunuar takime të BE-së, ai do të ishte në burg, jo nëpër lajme si “i viktimizuar”.

Brukseli po bën lojën e Serbisë, ndoshta edhe nga frika e humbjes së ndikimit në Ballkan. Por, kjo heshtje është një bashkëfajësi që po e dëmton kredibilitetin e BE-së në sytë e Kosovës dhe të gjithë rajonit”, pohon Gashi.

Ai jep mesazh për BE-në, duke thënë se Vuçiq po tallet me Brukselin, gjersa pyet Si ka mundësi që pas një akti të pastër spiunazhi ndaj institucioneve të BE-së, nuk ka pasur asnjë reagim të fortë kundër Beogradit.

 “Mesazhi im si analist: Kosova duhet të shfrytëzojë këtë skandal për të demaskuar Serbinë publikisht, në çdo forum ndërkombëtar. BE-ja duhet të vihet përpara pasqyrës: ose është ndërmjetësues neutral që mbron integritetin e procesit, ose është një “menaxher i status quosë” që mbyll sytë para shërbimeve sekrete të Beogradit. Vuçiqi po tallet me Brukselin dhe po e përdor si skenë propagandistike, ndërkohë që BE-ja rri në heshtje sikur të mos ishte tradhtuar në shtëpinë e vet. Pyetje për Brukselin:

Si ka mundësi që pas një akti të pastër spiunazhi ndaj institucioneve të BE-së, nuk ka pasur asnjë reagim të fortë kundër Beogradit? A thua mos vallë Serbia është bërë “djali i preferuar” që mund të shkelë çdo rregull? Do ta bëj edhe më të prerë:

Nëse Kosova do ta kishte bërë këtë veprim, do të kishte pasur sanksione, deklarata të ashpra dhe ndëshkime diplomatike. Por, siç duket, kur Serbia shkel çdo normë, Brukseli mbyll sytë. Dhe ky është problemi më i madh i dialogut”, përfundon analisti.