Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme nuk kanë lejuar mbajtjen e aktivitetit në sheshin “Skënderbej”. Sipas VV-së, këto institucione “u bënë vegla e bllokimit të Sheshit ‘Skënderbej’, duke ia mohuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! të drejtën për tubim”, transmeton KosovaPost.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme u bënë vegla e bllokimit të Sheshit “Skënderbej”, duke ia mohuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! të drejtën për tubim. Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar kërkesë për sheshin më 30 prill. Dhjetë ditë para se të ekzistonte organi që jep leje për tubime, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve. Dhe tash kjo kërkesë po trajtohet sikur është leje e fituar”, njofton Lëvizja VETËVENDOSJE! .
Lëvizja VETËVENDOSJE!, njofton se ka vepruar saktësisht sipas ligjit. “Ka kërkuar leje më 8 maj, ditën kur Komisioni Komunal i Zgjedhjeve u konstituua zyrtarisht në Prishtinë. Pra, e para që ka kërkuar leje nga organi kompetent. Por ligji, si duket, nuk vlen njëlloj për të gjithë. Logjika e re që po vendoset sot është e thjeshtë dhe e rrezikshme: mjafton të hedhësh një letër diku, para se institucioni të lindë, dhe ajo letër shndërrohet në të drejtë. E drejta e tubimit, e garantuar me Kushtetutë, mund të merret edhe me një kërkesë të bërë në vakuum institucional”, thuhet në komunikatën.
Sipas VV-së, kjo nuk është procedurë. “Kjo nuk është zbatim i ligjit. Kjo është shkelje e ligjit dhe manipulim i pastër. Nëse pranohet ky precedent, atëherë kushdo mund të dorëzojë sot një kërkesë për tubim zgjedhor për zgjedhje që mund të mbahen pas vitesh dhe, me këtë arsyetim absurd, t’ua mohojë të tjerëve të drejtën për tubim madje para se të jetë krijuar fare organi kompetent që merret me këtë çështje”, thuhet në komunikatë.



Të tjera
Kompania reagon pas njoftimit të AUV-së: Produktet tona janë të sigurta
OKB pasi Netanyahu urdhëron pushtim të mëtejshëm: E gjithë G@za duhet të jetë për palestinezët
Bëj këto 5 gjëra çdo ditë, para se të hash mëngjes