Zana Avdiu për gazetën zvicerane: Zvicra s’duhet të pranojë seksizmin e kulturës emigrante

Zana Avdiu, autore e emisionit “Zanat” në T7, është intervistuar nga mediumi i njohur zviceran “Tagesanzeiger”. Në këtë intervistë, Avdiu ka vlerësuar që Zvicra nuk duhet ta pranojë seksizmin e kulturës emigrante.

Në hyrjen e intervistës, të shkruar nga gazetarja Betina Weber, Avdiu portretizohet si “feministja më e njohur e Kosovës”, ndërsa theksohet se “ajo e shpjegon pse burrat në diasporë janë shpesh më patriarkalë sesa në shtëpi (vendin e origjinës v.j.) – dhe më të rrezikshëm për gratë”.

Tutje, aty përmendet një shkrim i një shqiptareje, Kaltërina Latifi, studiuese e letërsisë në Universitetin e Gottingenit, për të cilin shkrim ajo u kritikua ashpër pasi Latifi është ndër të vetmet që “guxon të kritikojë një kulturë patriarkale emigrante”.

Sipas “Tagesanzeiger”, Avdiu ka guximin e njëjtë në kritikën e saj ndaj kulturës patriarkale shqiptare, teksa përmendet edhe emisioni “Zanat”, ku trajtohet “çështjet e barazisë gjinore”.

Avdiu ka theksuar se për shqiptarët “patriarkati është një pjesë integrale e kulturës”.

“Për Zvicrën, barazia është një çështje, por jo për shqiptarët. Për shqiptarët, patriarkati është një pjesën integrale e kulturës së tyre, qe shpesh shoqërohet me dhunë. Kjo vlen edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër. Duket se nuk është ndikuar fare nga vlerat zvicerane; përkundrazi shpesh është e kornizuar nga normat e kulturës shqiptare të viteve 80-ta dhe 90-ta. Kjo është tepër befasuese pasi këto norma tash konsiderohen të tejkaluara madje edhe në vendin e tyre të origjinës. Kjo mund të shihet në pothuajse të gjitha komunitetet shqiptare jashtë vendit” – ka thënë Avdiu.

Gazetarjane Weber, e pyeti Avdiun se çfarë mund të bëjë Zvicra që të fuqizojë gratë emigrante shqiptare.

“Nuk duhet të tolerojë seksizmin e kulturës emigrante. Posaçërisht jo për shkak të frikës se kritika e saj mund të interpretohet si racizëm. Të drejtat e njeriut nuk mund të jenë raciste. Të drejtat e barabarta vlejnë për të gjitha gratë, përfshirë gratë emigrante” – tha Avdiu.

Në lidhje me arsyen se pse njerëzit nuk dëshirojnë të dëgjojnë për të drejtat e barabarta, Avdiu tha se “shumica e njerëzve nuk mund të durojnë të vërtetën”.

“Shqiptarët në diasporë dhe po ashtu në vendin e tyre të origjinës dëshirojnë të vazhdojnë të përfitojnë nga privilegjet e patriarkatit. Duke bërë kështu, ata shfrytëzojnë hipokrizinë e vjetër: së pari, ata i portretizojnë gratë si seksi inferior dhe pastaj pretendojnë kontrollin dhe dominimin në mënyrë që të jenë në gjendje t’i nënshtrojnë ato. Problemi është që ata ndiejnë se janë në të drejtën dhe madje e përshkruajnë veten si “njerëz të mirë”. Ndonëse e përjetësojnë një traditë që i nënshtron dhe, në rastin më të keq, i vret gratë” – ka theksuar Avdiu.