Zbulohet skema mashtruese në emër të Ambasadës Amerikane në Tiranë, reagon institucioni: Po bashkëpunojmë me policinë, qytetarët shqiptarë të mos bien ‘pre’

Ambasada Amerikane në Tiranë në një deklaratë për mediat ka njoftuar se është zbuluar një skemë mashtrimi, ku disa persona, në emër të kësaj ambasade premtonin udhëtime falas apo viza me kosto të ulëta.

Ambasada deklaron se është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”

Sipas këtij institucioni, ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet arsimore ose personelin e ambasadës.

Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA thuhet se po vazhdon punon me Policinë e Shtetit, teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.

“U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën”, thuhet në këtë deklaratë të Ambasadës.