Prokuroria Speciale dhe Policia njoftuan për operacionin e zhvilluar sot në veri të vendit, ku tha se u shoqëruan e më pas u liruan 7 persona dhe u sekuestruan armë e municion.
Operacioni, siç u tha në komunikatën e përbashkët, u zhvillua në Zubin Potok dhe Zveçan në kuadër të një hetimi lidhur me vrasjen e një zyrtari të EULEX-it në vitin 2013.
“Prishtinë, 19 Tetor 2025 – Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Policinë, është zhvilluar një operacion policor në Komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit, në kuadër të një hetimi lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë ( EULEX ) A.S., me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimit të mundshëm të provave relevante”, thuhet në njoftim.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Zveçan dhe në shtatë (7) lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: – Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; – Vrasje të Rëndë; – Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë operacionit, i cili u mbështet edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, u njoftua se “janë shoqëruar në Polici shtatë ( 7 ) persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”.
“Ndërsa, gjatë zbatimit të urdhërit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale sikurse: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme etj”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës publikuan pamje të operacionit, ndërsa ritheksuan “përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”.
Audrius Senavicius, doganier lituanez, ishte vrarë me 19 shtator 2013 pas të shtënave ndaj dy automjeteve të EULEX në afërsi të Zveçanit.
Të tjera
Pas sanksioneve amerikane, varësia nga nafta ruse po kthehet kundër Serbisë
Yjet e skenës, pa fat në politikë – aktorët humbin garën për Prishtinën
“Turpi historik” – Shehu: Rama rrëzoi rezolutën për genocidin serb për t’u pëlqyer Vuçiçit