Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë periudhës së fundvitit, kur shënohet rritje e ndjeshme e konsumit.
Sipas njoftimit të ZRrE-së, më 24 dhjetor 2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së festave të fundvitit, e cila tradicionalisht shoqërohet me rritje të konsumit.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi energjetik në këtë periudhë, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në prodhim dhe transmetim, kufizimet teknike të rrjetit, nevojën për balancim të vazhdueshëm mes prodhimit, importit dhe konsumit, si dhe organizimin institucional gjatë pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, ndërsa ZRrE ka kërkuar hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes, përfshirë skenarë të mundshëm për situata të paparashikuara.
Në këtë kontekst, ZRrE u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë konsumatorëve për kursim të energjisë.
“ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale (pikut), kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.
ZRrE ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit energjetik për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset.



Të tjera
Disa këshilla për një jetë më të mirë në çift
Investimi në arsim, investim në të ardhmen e Kosovës
Sladan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë