Zulfaj: Masat nuk u hoqën pse foli ish-presidentja

Zulfaj: Masat nuk u hoqën pse foli ish-presidentja

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj ka thënë se masat e BE-së nuk janë hequr vetëm sepse ish-presidentja Vjosa Osmani ka folur.

 

“Janë dhjetëra takime mes vendosjes së masave të padrejta dhe heqjes së tyre. Sikur të ishte çështje fjalësh, shpresoj që ish-pesidentja i kishte hequr menjëherë, e jo më shumë se dy vite më pas”, ka shkruar Zulfaj në Facebook.

Sipas tij, masat e padrejta, siç tha, të vendosura nga ish-emisari nga dosja e Epstein-it u hoqën kur pati zgjedhje të reja dhe tranzicion paqësor të pushtetit në katër komunat në veri.

“E pse pati pjesëmarrje në zgjedhje dhe tranzicion paqësor? Sepse kur i bojkotuan zgjedhjet, nuk u kthyen më pa zgjedhje të reja. E kur u kthyen jo vetëm që pati tranzicion paqësor, por edhe respekt për flamurin e Republikës së Kosovës, që valëvitet në çdo komunë sot”, ka shtuar Zulfaj.

Ai tutje tha se edhe kryeministri Albin Kurti ka folur, por siç tha, ai më shumë ka vepruar.