Në Botërorin në SHBA, Kanada dhe Meksikë janë shënuar më së shpejti 100 gola, që nga Botërori 1958. Goli i 100-të u shënua në ndeshjen e 33-të.
Ishte goli i Cody Gakpos në fitoren 5:1 ndaj Holandës ndaj Suedisë që shënoi shifrën e 100 golave. Ai e realizoi golin e katërt për Holandën.
Është hera e parë pas 68 vjetësh që janë dashur 33 ndeshje për të arritur shifrën treshifrore të golave.
Në vitin 1954 për 100 gola mjaftuan 20 ndeshje.
Në vitin 2014 në Brazil, për 100 gola u kërkuan 36 ndeshje, sa edhe në vitin 1982. Në Argjentinë në vitin 1978 dhe SHBA në vitin 1994 u kërkuan 38 ndeshje për 100 gola.
Në këtë Botëror mund të kalohet lehtë shifra e 300 golave. Aktualisht mesatarja e golave është mbi 3 për ndeshje.
Por pse u deshën vetëm 33 ndeshje për 100 gola?
Janë dy ndeshje pa gola deri më tani. Por edhe shumë me numër të madh golash.
BBC shkruan se një nga arsyet për kaq shumë gola mund të jetë topi Adidas, “Trionda”, me të cilin po luhen ndeshjet.
Duket sikur disa portierë janë kapur në befasi tashmë nga mënyra e fluturimit të topit. Kjo ishte e dukshme kur Kylian Mbappe i Francës shënoi golin e dytë ndaj Senegalit. Ishte goli i shënuar nga largësia më e madhe.
Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, vuri re se topi po e sulmonte Jordan Pickfordin e Anglisë më shpejt se që pritej kur Martin Baturina i Kroacisë barazoi rezultatin.
Më shumë se dhjetë gola janë shënuar me goditje të bëra jashtë zonës. Ka pasur edhe gola të shënuar pasi portierët kanë dështuar të kontrollojnë topin.
“Janë disa raste kur topi nuk është sjellë domosdoshmërisht siç do të prisnit”, ka thënë ish-portieri i Anglisë, Paul Robinson, i angazhuar si analist nga BBC për Botëror.
Nuk është hera e parë që topat e Botërorit kanë shkaktuar probleme.
Topi “Jabulani” në vitin 2010 në Afrikë të Jugut u bë i njohur për devijimin. U vlerësua se topi kishte ndikuar në disa gola nga distanca.
Portierët kishin kritikuar topin, duke thënë se “lejonte gola shtesë” dhe do t’i bëntë “disa portierë të dukeshin budallenj”.
Ka vlerësime se zgjerimi i Botërorit mund të ketë ndikim në rritjen e numrit të golave. Por jo të gjithë pajtohen me këtë. Ekipet kanë kohë për më shumë pushim nga ndeshja në ndeshje dhe shfaqin formë më të lartë.
Ka pyetje edhe për ndikimin e temperaturës së lartë në rritjen e numrit të golave. Por jo domosdoshmërisht ka lidhje mes këtyre dy gjërave, ndonëse mund të ketë ndikuar në më shumë gabime të portierëve.
Shpërthimi i yjeve përfundimisht ka pasur ndikim në gola të shumtë. Lionel Messi, Mbappe, Vinicius Junior, Erling Haaland, Harry Kane tashmë kanë lënë gjurmën e tyre.
“Sulmuesit në këtë Botëror po duken shumë të sigurt”, thotë Micah Richards, ish-mbrojtës i Manchester Cityt.



Të tjera
Yamal flet për vështirësitë dhe suksesin e fëmijërisë: Prindërit e mi ia dolën të bënin gjithçka
Zyrtare: Edvin Kuç rikthehet te Ballkani
Trangulli i Kosovës po fiton tregun evropian