Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Në këtë vizitë, Haxhiu ka dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat dhe dhimbjen e familjeve që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre.
“Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Në komunikatë bëhet e ditur se Haxhiu ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë detyrim të vazhdojnë punën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, ndërsa pengesa kryesore në këtë proces mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.
“Problemi kryesor vazhdon të jetë Serbia, e cila nuk po jep informacionet e nevojshme për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Kërkesat e familjeve dhe të nënave që ende presin përgjigje do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse. Kjo çështje duhet të mbetet në qendër të punës institucionale”, deklaroi ajo.
Gjatë vizitës, Haxhiu ka falënderuar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë për punën shumëvjeçare në mbajtjen gjallë të zërit të familjarëve dhe në kërkimin e së vërtetës për të pagjeturit.
“Kjo është vizita ime e parë në këtë shoqatë dhe dua t’i falënderoj për punën e madhe që kanë bërë ndër vite. Për shumë kohë, një pjesë të barrës që duhej ta mbanin institucionet pas luftës e kanë mbajtur shoqatat dhe organizatat e familjarëve, përfshirë edhe këtë shoqatë në Mitrovicë”, ka theksuar ajo.
U.d presidentja Haxhiu ka përmendur edhe hapat institucionalë të ndërmarrë për trajtimin e krimeve të luftës dhe për forcimin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë.
“Për familjarët e viktimave të luftës dhe për familjet e personave të zhdukur me dhunë, drejtësia mbetet kërkesë e përhershme. Prandaj janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si mundësimi i gjykimit në mungesë, themelimi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, rritja e kapaciteteve në polici e prokurori dhe miratimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale. Këto janë veprime që tregojnë përkushtimin institucional për adresimin e krimeve të luftës dhe për mbështetjen e familjeve”, ka thënë Haxhiu, raporton Klankosova.tv.
Albulena Haxhiu ishte e shoqëruar nga deputetja Arjeta Fejza.




Të tjera
Kosova dhe Turqia thellojnë bashkëpunimin policor
Nga nesër mbyllet përkohësisht rruga `Vicianum` në Prishtinë, shkak punimet
Çmime marramendëse për finalen e Championsit mes fluturimeve, hoteleve dhe biletës së lojës