15 sekondat e famës në TikTok: A po paguhet me çmimin moral të shoqërisë?

“Në botën e të ardhmes njerëzia do të jetë gati të bëjë gjithçka: mjaft që të bjerë në sy dhe të flitet për ta. Nuk do të ketë dallim midis famës së imonologut të madh dhe famës së djaloshit që vret të ëmën me teh sëpate, mes dashnorit të madh dhe kujt do të ketë fituar garën planetare për organin gjenital më të shkurtër. E ç’rëndësi ka do të jenë të famshëm.”- Umberto Eco në një nga esetë e tij të 2002.

Nëse do përdorja një epiteti të përbashkët që mund të përdorim për mënyrat se si shumë njerëz sot në Shqipëri po i përdorin rrjetet sociale në kërkim të famës dhe parasë, fatkeqësisht do ishte fjala “degjenerim”.

Rigels Rajku, i njohur nga të gjithë si Noizy dhe Medi Iseni janë prej ditësh kryefjalë e mediave sociale dhe detajet për sherrin janë pasqyruar në versione të ndryshme. (Theksojmë se nuk duam të mbështesim dhunën që e dënojmë në çdo lloj forme që shfaqet).

Ditën e djeshme Policia e Kosovës shpalli në kërkim Noizyn dhe kërkoi madje ndihmën e qytetarëve teksa gjithë këtë çështje e ka trajtuar duke i dhënë shumë vëmendje mediatike. Jo për të cënuar e ulur punën e tyre, pasi në shumë raste janë treguar heronj për vendin e tyre, por çdo medalje ka dy anën. Dhe Policia e instancat si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri po dështojnë në menaxhimin e rasteve të tilla që i përsorin më pas edhe për show.

Duke u ndalur këtu vitin e kaluar Noizy ka ngritur një padi ndaj Medi Isenit. Gjë që edhe ky i fundit e ka pohuar publikisht, madje duke u shprehur në një video: “Burrëria nuk është të shkosh në polici dhe të marrësh mbrojtje dhe të na denoncosh.”

Po ashtu, Noizy pati paditur edhe Kleviol Ahmeti, e të gjithë e dimë si vijoi situata mes tyre.
Një tjetër video që ka tërhoqur vëmendje është një live në TikTok para sherrit, ku Medi Iseni bashkë me Kleviol Ahmetin flasin se si ai do shkonte në koncert. Kurse Klevioli i thotë: “Futu në skenë sepse ajo do jetë pjesa më e bukur dhe do shpërthejë nëpër TikTok. Do jesh budalla po nuk ia grabite famën. Për çfarë jemi sharë? Për këto muhabete, për tu bërë të famshëm.”

Prej kohësh TikTok u mundëson përdoruesve që të fitojnë para përmes realizimit të Live-eve ku modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts” e që përkthehet në shuma të mëdha parash. Vlera e dhuratave në këtë rrjet social, varion nga 1 e deri në 560 dollarë, teksa dhurata më e shtrenjtë është “TikTok Universe”. Ajo që u duhet shumë njerëzve për të fituara ndjekës, rrjedhimisht para dhe famë është sigurisht kontenti, pasi ndryshe nga artistët, nuk kanë çfarë i ofrojnë ndjekësve. Mediu në rastin konkret njihet për deklaratat e forta dhe ofendimet.

Prej javësh kemi dëshmuar përmbajtje degjeneruese nga një personazh tjetër Suada Muça, dy vite më parë një tjetër personazh i njohur, Kozaku, disa muaj më parë u rrëmbye nga disa persona që e dhunuan verbalisht dhe fizikisht teksa videon e publikuan në rrjetet sociale. Dyshohet se rrëmbimi u iniciua nga i dënuari me burgim të përjestshëm në Greqi, Fabio Dushku, pas një zënke që këta dy personazhe kanë patur në rrjetet sociale ku Kozaku e kishte ofenduar. Para disa muajsh, babi dhe gjyshja e një 10-vjeçari u arrestuar nga Policia, pasi shfrytëzonin të miturin për përfitime në rrjetin social TikTok. Raste të tilla ka pafund.

Fama e mediave sociale mund të sjellë shumë përfitime, por gjithashtu mund të bëjë potencialisht që të rinjtë të përfshihen në sjellje të dëmshme në mënyrë që të arrijnë famë dhe para. Dhe ky është një nga shqetësimet kryesore sot.

Në vitin 1968, Andy Warhol thoshte se në të ardhmen, “të gjithë do të jenë të famshëm në botë për 15 minuta”. Por Warhol nuk mund ta kishte parashikuar që algoritmi i TikTok në 15 sekonda mund të të kthej në një nga njerëzit më të famshëm në botë… sa hap e mbyll sytë.

Pothuajse të gjithë janë të vetëdijshëm për rritjen e ndikuesve të mediave sociale. Më shumë se kurrë më parë, të rinjtë po bëjnë gjëra të papranueshme dhe potencialisht të rrezikshme në Internet për të tërhequr vëmendjen. Të duash të jesh i famshëm nuk është një koncept i ri, por është përkeqësuar për shkak të rrjeteve sociale.
“Të qenit i famshëm sepse je i famshëm” – është një kategori e re ku klasifikohen të gjithë ata që arrijnë famën më mënyra të tjera, veç talentit. Shpesh në këtë ketegori janë futur edhe Kardashian-Jenner.

Mediat sociale kanë një ndikim të fortë në shoqëri, si negativisht ashtu edhe pozitivisht. Por, kur fëmijët po ndikohen nga të famshëm si Suada, Cllevio dhe Mediu me shokë; ne si shoqëri e kemi humbur vendin në atë që do të thotë të jesh një ndikim pozitiv.

“Kanë kaluar dekada që nga koha kur dikush ndiente t’i shkatërrohej jeta sepse e kishin filmuar me pranga. Shkurt fjala parimi është: Kur shfaqet Shën Mëria përse jo dhe unë? Duke shpërfillur faktin që nuk je virgjëreshë”- Umberto Eco.