Tridhjetë e shtatë persona janë shoqëruar të dielën në stacion policor për intervistim, pasi dyshohet se gjatë manifestimeve të “Vidovdanit” kanë bërë thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes. Pas intervistimit, ata janë proceduar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimit gjyqësor, transmeton KosovaPost.
Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet e “Vidovdanit”, të mbajtura më 28 qershor, kanë kaluar pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Sipas njoftimit, Policia kishte ndërmarrë me kohë masa planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.
Masat, sipas Policisë, kanë përfshirë veprime koordinuese, parandaluese dhe operativo-hetimore në departamentet dhe rajonet policore ku ishin paraparë të zhvilloheshin aktivitetet.
“Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuara policore në terren, nuk është raportuar ndonjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 37 personave në stacion policor për intervistim, të cilët kanë provokuar me thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se një personi i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Të gjitha veprimet policore, sipas njoftimit, janë duke u zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë.
Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites, pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka thënë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.



Të tjera
Hiqet instalacioni me këpucë para Kryeministrisë në Tiranë
Pesë efektet anësore të qumështit
Shefi i OBSH-së: Mbi 1.300 vdekje të lidhura me valën e të nxehtit në Evropë që nga 21 qershori