6 muaj burgim do t’i zëvendësohen me 2 mijë euro gjobë Dardan Molliqajt për sulmin ndaj zyrtarit policor

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim Dardan Molliqajn- kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) lidhur me akuzën për sulm ndaj zyrtarit policor në protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës në vitin 2022. Ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë euro/

Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësja Valbonë Fejza.

Fillimisht, Molliqaj u dënua me 6 muaj burgim, por ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit do të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Pala e dëmtuar- Valon Braha, për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2022, Dardan Molliqaj akuzohej se më 29 janar 2022 rreth orës 14:00, në Prishtinë, e ka sulmuar personin zyrtar- tani të dëmtuarin Valon Braha, i cili ka qenë në cilësinë e zyrtarit policor së bashku me kolegët e tij i angazhuar në planin operativ për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si rrjedhojë e protestës së organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorë, si dhe për të penguar hyrjen e protestuesve në objektin e Qeverisë.

Aktakuza thotë se i dëmtuari Braha së bashku me policët e tjerë janë vendosur në hyrje të objektit në fjalë, mirëpo edhe përkundër kësaj i pandehuri së bashku me protestuesit tjerë i kanë shtyrë zyrtarët policorë, me qëllim që të hyjnë në brendi të Qeverisë, kurse të dëmtuarin Valon Braha e ka sulmuar duke e goditur me grushtin e dorës së djathtë në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari në fjalë ka pësuar lëndime të lehta trupore në formë të gërvishtjes në regiionin e qafës.

Për këto veprime, i akuzuari Molliqaj ngarkohej me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.3 lidhur me par.1 të  Kodit Penal të Republikës së Kosovës.