Ka filluar riparimi i rrugës së dëmtuar Gjilan-Ferizaj, pas raportimeve të ditëve të fundit mbi vështirësitë që po shkaktonte në qarkullimin e automjeteve.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, konfirmoi për median se punimet kanë nisur mbrëmë, ndonëse sipas tij, komuna nuk ka qenë pjesë e projektit.
“S’kemi qenë të përfshirë në këtë projekt, por jemi në kontakt me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës. Sipas informacioneve tona, mbrëmë ka filluar largimi i asfaltit të dëmtuar, ndërsa më pas do të vazhdohet me pastrimin e terrenit dhe asfaltimin e rrugës,” tha ai.
Sa i përket monitorimit nga ana e komunës, Ibrahimi bëri të ditur se nuk janë caktuar zyrtarë specifikë për mbikëqyrjen e punimeve, por theksoi se komuna po ndjek me interes zhvillimet, duke marrë informacione përmes komunikimeve me ministrinë.
“Nuk kemi ndonjë raport të detajuar nga ministria, përveçse kur e kërkojmë në mënyrë formale përmes email-it, telefonit apo takimeve,” shtoi ai.
Lidhur me kohëzgjatjen e punimeve, Ibrahimi tha se nuk ka një afat të saktë, por duke u bazuar në ndërhyrje të ngjashme të mëparshme, supozon se riparimi nuk do të zgjasë shumë.
“Nuk jam në dijeni se sa do të zgjasë rindërtimi i kësaj rruge. Para dy jave ka qenë pothuajse situate e njëjtë, ku atë pjesë të dëmtuar e kanë sanuar brenda ditës, mirëpo aktualisht për shkak të motit të keq, kësaj radhe mund të zgjasë më shumë”, përfundoi ai.



Të tjera
Këshilla për shoferët gjatë vozitjes në vapë të madhe
Tonik nga majdanozi, për një fytyrë të re
Nga nesër nis procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës