Kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, ende ka paqartësi në atë se si mund të duket qeveria e re.
Kjo, për shkak që asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën dhe partitë politike nuk po janë shumë të qarta në lidhje me koalicionet dhe “vijat e kuqe”.
Mirëpo, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, befasoi me deklaratën e tij të fundit.
“Nëse Kurti do të dështonte, ne për 48 orë i takojmë [pakicat]. Për ne ka qenë e rëndësishme edhe para qytetarëve me tregu një shembull ndryshe prej Kurtit. Shembull të respektimit të vendit tonë, të ligjeve, të Kushtetutës sonë. Për 48 orë ne e kryejmë në momentin që Kurti dështon, për 48 orë me takime e me krejt bahen, veç ai e ka radhën”, u shpreh kreu i PDK-së.
Kjo në mënyrë të tërthortë po konfirmon se partitë opozitare kanë arritur një marrëveshje për qeveri, ose thjeshtë është mënyrë për të bërë presion ndaj partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Berisha: Deklarata e Memli Krasniqit: Tregues i një marrëveshjeje ppozitare apo strategji presioni ndaj LVV-së?
Së pari, profesori Fejzullah Berisha tha se formimi i qeverisë së re po del të jetë një sfidë delikate.
Sipas tij, deklarata e fundit e kreut të PDK-së ka një peshë të shumëfishtë politike.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, procesi i krijimit të qeverisë mbetet një ndër sfidat më delikate të periudhës paszgjedhore, veçanërisht kur fituesi nuk arrin të sigurojë shumicën absolute dhe është i detyruar të hyjë në negociata me parti të tjera.
Në këtë klimë politike, deklarata e Memli Krasniqit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku ai shprehet se në rast të dështimit të Albin Kurtit për të formuar qeverinë, PDK do ta bëjë këtë brenda 48 orëve, ka një peshë të shumëfishtë, që meriton interpretim të gjerë, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë strategjik dhe institucional”.
Po ashtu, Berisha parashikoi një skenar të mundshëm që partitë opozitare po mund të planifikojnë në prapaskena.
Në këtë rast, tha se mund të ketë marrëveshje të heshtur, me qëllim që të largojë edhe Kurtin nga pushteti.
“Skenari i parë: sinjal i qartë për një marrëveshje opozitare të prapaskenës
Deklarata nuk është e thjeshtë apo spontane – përkundrazi, ajo mbart një sinjal të qartë se opozita ka zhvilluar negociata intensive në prapaskenë dhe ka arritur një marrëveshje paraprake politike për krijimin e një shumice alternative ndaj VV-së. Kjo përforcohet nga elemente të mëposhtme:
1. Koordinimi midis subjekteve opozitare (PDK-LDK-AAK).
Në rastet kur një lider opozitar shprehet me një siguri kaq të lartë për krijimin e qeverisë në “48 orë”, është e qartë se strukturat politike janë në komunikim aktiv dhe të avancuar
Ka të ngjarë që ndarja e posteve të larta qeveritare (kryeministri, ministritë kyçe, posti i kryetarit të Kuvendit) të jetë diskutuar dhe harmonizuar më herët.
2. Marrëveshje e heshtur me subjektet minoritare:
Në konstelacionin parlamentar të Kosovës, subjektet e komuniteteve pakicë luajnë një rol thelbësor për krijimin e shumicës.
3. Fronti opozitar “anti-Kurti” si katalizator i unitetit të përkohshëm:
Faktori bashkues i opozitës mund të mos jetë programi i përbashkët qeverisës, por vetë dëshira për largimin e Kurtit nga pushteti.
Ky fenomen është i njohur në sistemet parlamentare, kur partitë bëhen bashkë jo rreth një vizioni të përbashkët, por për të ndaluar një figurë dominuese politike që perceptohet si autoritare apo arrogante”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, profesori përmendi edhe një skenar tjetër që eventualisht mund të fshihet pas deklaratës së Krasniqit.
E që ka të bëjë më presionin e shtuar ndaj Kurtit dhe tensionimit të opinionit publik.
“Përveç një paralajmërimi të qartë për një konfigurim të ri opozitar, kjo deklaratë mund të jetë pjesë e një stratejie të menduar për të rritur presionin ndaj Albin Kurtit, përmes këtyre elementeve:
1. Reduktimi i hapësirës së manovrës për VV-në:
Duke shpallur se opozita është “gati për qeveri”, Krasniqi kërkon të parandalojë çdo zvarritje taktike të Kurtit, i cili në të kaluarën ka tentuar të prolongojë negociatat për të forcuar pozitat e tij.
2. Tensionim i opinionit publik dhe ndërkombëtar:
Deklarata ka një efekt psikologjik edhe tek opinionin publik kosovar dhe faktori ndërkombëtar, duke sinjalizuar se nëse Kurti dështon, ka një alternativë të gatshme dhe stabile.
Kjo rrit presionin diplomatik ndërkombëtar ndaj VV-së që të jetë fleksibël dhe bashkëpunues.
3. Projektim i PDK-së si “parti e përgjegjshme” dhe “e gatshme për pushtet”:
PDK përmes kësaj deklarate rikonfirmon pretendimin e saj për të qenë forca politike më e organizuar, e cila, edhe pse nuk ka dalë e para, është gati të udhëheqë përmes një shumice parlamentare legjitime”, shpjegoi Berisha.
Megjithatë, profesori nuk përjashtoi mundësinë e protestave nëse opoziat ia “merr” qeverinë LVV-së e Kurtit.
“Nëse skenari i marrëveshjes opozitare realizohet dhe VV mbetet jashtë qeverisë, pavarësisht se ka fituar zgjedhjet, kjo do të ngrisë pyetje të mëdha për legjitimitetin moral të qeverisë së re, megjithëse juridikisht do të jetë e ligjshme.
Ky është një dilemë e konstitucionalizmit funksional në sisteme parlamentare, ku:
Partia fituese nuk ka shumicë, dhe Koalicione opozitare të përkohshme mund të formojnë qeveri, shpeshherë pa përfaqësuar realisht shumicën e votuesve.
Kjo mund të rrisë polarizimin politik, të sjellë protesta qytetare dhe të rrezikojë stabilitetin institucional, veçanërisht në një vend si Kosova, ku ndjenja e votës dhe përfaqësimit është shumë e ndjeshme”.
Tutje, krahasoi këtë situatë politike me disa shtete, siç janë Spanja, Bullgaria e Izraeli.
“Krahasime ndërkombëtare: raste të ngjashme në Evropë dhe Ballkan
1. Spanja (2016):
Partia Popullore doli e para në zgjedhje, por nuk kishte shumicë. Vetëm pas disa muajsh negociatash dhe presioni nga mbreti dhe BE, u arrit një marrëveshje e brishtë për formimin e qeverisë me mbështetjen e disa partive më të vogla.
2. Bullgaria (2023):
Partia fituese nuk arriti të formonte qeverinë, dhe opozita krijoi një “koalicion të rotacionit” për të ndarë pushtetin në periudha të alternuara, si kompromis për të evituar zgjedhje të reja.
3. Izraeli (2021):
Netanyahu fitoi shumicën e votave, por një koalicion i gjerë kundër tij, me forca të djathta dhe të majta, formoi qeverinë duke e përjashtuar nga pushteti”.
Në fund, zbërtheu strategjinë e gjithë kësaj deklarate dhe retorikën politike që fshihet pas saj.
“Deklarata e Memli Krasniqit është më shumë se retorikë politike – është një shenjë e koordinimit opozitar, një mjet presioni publik ndaj VV-së, dhe një sinjal për opinionin ndërkombëtar se Kosova ka një alternativë qeverisëse të gatshme, në rast të dështimit të Kurtit.
Ajo gjithashtu shton tensionin politik në një moment delikat institucional, dhe ndriçon hendekun midis vullnetit elektoral të qytetarëve dhe konfigurimeve të mundshme parlamentare, që mbartin rrezik për delegjitimim politik të institucioneve, destabilitet, dhe polarizim të mëtejshëm”, përfundoi Fejzullah Berisha.
Kelmendi: Formimi i qeverisë varet nga LVV
Kurse, Muhamet Kelmendi tha se nëse qeveria formohet nga partitë opozitare, do të jetë jetëshkurtër.
Po ashtu, në një bashkëbisedim ai tha se procesi i formimit të qeverisë është në ‘dorë’ të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Formimi i qeverisë nga opozita, nëse partitë e tilla, LDK, AAK dhe NISMA, janë të pajtimit që së bashku me PDK të krijojnë qeverinë, kuptohet se qeveria krijohet për një kohë të shkurtë.
E tëra varet aktualisht nga LVV”.
Gjithashtu, profesori tha se varësish qëllimeve të LVV-së, mund të formohet edhe qeveria.
“VV ka mundesi që me mjete juridike dhe me zbrazëti kushtetuese të prolongon ndërtimin e Kuvendit dhe të qeverisjes.
Kjo varet nga ajo se si LVV e shikon të ardhmen e vetë, nëse dëshiron të mbetet në qeveri apo të dalë në opozitë.
Nga ky qëndrim varet edhe ndërtimin e qeverisë”, përmbylli Muhamet Kelmendi
Të tjera
Pastroni mushkëritë duke përdorur këto tre ushqime natyrale
Su*lmet e fundit të Iz*raelit ndaj vendeve të rajonit duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi
Dialogu Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Barduanit dhe ambasadores greke