Mediumi spanjoll jep detaje nga rrëmbimi i gjashtëvjeçares që u gjet në Kosovë

Mediumi spanjoll jep detaje nga rrëmbimi i gjashtëvjeçares që u gjet në Kosovë

Një vajzë gjashtëvjeçare, e rrëmbyer dy javë më parë nga babai i saj në Majorka të Spanjës, është gjetur në Kosovë, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga autoritetet kosovare në një operacion të koordinuar ndërkombëtar, ka njoftuar Garda Civile spanjolle.

Sipas autoriteteve spanjolle, babai kishte planifikuar me kujdes arratisjen, duke e fshehur fëmijën në bagazhin e automjetit për t’u larguar me traget nga ishulli i Majorkës dhe më pas kishte kaluar kufij ndërkombëtarë pa deklaruar praninë e vajzës.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të nënës së fëmijës, e cila kishte raportuar zhdukjen dhe kishte njoftuar se ish-partneri i saj ishte larguar nga Spanja me vajzën. Policia spanjolle ka konstatuar se rrëmbimi ishte i organizuar paraprakisht dhe i dyshuari kishte ndërmarrë masa të shumta për të shmangur zbulimin.

Një nga elementet më të pazakonta të hetimit ishte përdorimi i një pajisjeje gjurmuese AirTag, të cilën vajza e kishte pasur me vete, por që sipas hetuesve ishte vendosur në një zarf postar të destinuar për në Marok, në përpjekje për të devijuar hetimet dhe për të mashtruar autoritetet, raportojnë mediat spanjolle, transmeton Klankosova.tv.

Garda Civile bëri të ditur se gjatë hetimeve janë kontrolluar banesa të lidhura me rastin, janë analizuar pamje kamerash sigurie, transaksione bankare dhe lëvizje detare nga Majorka, ndërsa janë aktivizuar mekanizmat ndërkombëtarë të bashkëpunimit policor. Për rastin janë lëshuar urdhër-arrest evropian dhe ndërkombëtar ndaj të dyshuarit.

Po ashtu, është zbuluar se i dyshuari kishte mbyllur llogaritë bankare dhe kishte fshirë profilet e tij në rrjetet sociale për të reduktuar gjurmët dixhitale, ndërsa hetuesit kanë konstatuar edhe përdorim të mundshëm të targave të falsifikuara ose të dyfishta. Sipas Gardës Civile, ai kishte ndryshuar edhe pamjen fizike gjatë qëndrimit në Kosovë për t’iu shmangur identifikimit.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes autoriteteve spanjolle, Njësisë Qendrore Operative të Gardës Civile, përfaqësuesve diplomatikë spanjollë dhe policive të disa shteteve, përfshirë Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka pranuar informacion përmes INTERPOL-it nga autoritetet spanjolle, sipas të cilit një shtetas gjerman me inicialet A.M.L. (1989) dyshohej për rrëmbimin e një vajze 6-vjeçare dhe se ndodhej në territorin e Kosovës me fëmijën.

Pas pranimit të informacionit, policia ka koordinuar veprimet me njësitet relevante për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili së bashku me fëmijën është lokalizuar më 24 qershor në Fushë Kosovë dhe është arrestuar në një operacion policor.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa vajza është trajtuar sipas procedurave ligjore dhe është vendosur në strehim të sigurt. Më 25 qershor, pas verifikimit të rrethanave, fëmija është kthyer në mënyrë të sigurt tek nëna e saj në Majorka.

Policia e Kosovës dhe autoritetet spanjolle kanë vlerësuar bashkëpunimin ndërkombëtar si vendimtar në zbardhjen dhe zgjidhjen e rastit.