Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka deklaruar se për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nuk mjafton më vetëm presioni ndaj Serbisë, por nevojitet kushtëzim konkret nga Bashkimi Evropian.
Siç tha Gara në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, përfshirja më aktive e BE-së dhe e bashkësisë ndërkombëtare mund të ndikojë në arritjen e progresit në këtë proces, duke pasur parasysh se në territorin e Serbisë janë konfirmuar pesë varre masive dhe ekzistojnë edhe dhjetëra lokacione të tjera të dyshuara për gërmime.
“Në këtë rast nuk mjafton më vetëm presioni kundrejt institucionit të Serbisë, por duhet kushtëzimi, i cili në këtë rast është parë si mundësi për të vënë në dispozicion edhe të dhënat nga arkivat e tyre, por edhe për të lejuar në këtë rast gërmimet në territorin e Serbisë. Me çka, ka me dhjetëra lokacione tanimë të shënuara në territorin e Serbisë për të cilat pritet, ose jemi në pritje të datave për të filluar gërmimet”, tha ai.
Gara nënvizoi se fati i personave të zhdukur lidhet drejtpërdrejt me informacionet që ndodhen në arkivat shtetërore serbe.
“Është pashmangshëm një numër i madh i lokacioneve ndërlidhet pikërisht me regjionin e Rashkës. Meqë thashë në 2010-ën flitej ose flisnim për 250 viktima, nga gërmimet e vitit 2014 dhe gërmimet e vitit 2021 po flasim për çështjen e identifikimit , pra vazhdojnë të jenë edhe me dhjetëra raste të viktimave që ne kemi në mesin e personave të zhdukur, pra viktimat e zhdukjes me forcë që vazhdojnë të jenë potencialisht në këtë zonë”.
“Dhe në këtë rast, besoj që edhe në takimet e radhës, po takimet e deritanishme, pashmangshëm kërkesat prioritare do të jenë pikërisht këto: që të kemi qasje të plotë në këto arkiva, në këto institucione, meqë fati dhe vendndodhja e më të dashurve tanë ndërlidhet pikërisht me të dhënat që ekzistojnë në këto arkiva ; dhe të kemi qasje dhe sa më parë datat qoftë për të vazhduar gërmimin në lokacionet tanimë të shënuara apo të papërfunduara”, deklaroi mes tjerash Gara.



Të tjera
Rexhepi: Gjithmonë, fillimisht kemi votuar kryetarin e Kuvendit, pastaj Qeverinë e Presidentin
Gara: BE duhet ta kushtëzojë Serbinë për qasje në arkiva dhe gërmime për personat e zhdúkur
Mediumi spanjoll jep detaje nga rrëmbimi i gjashtëvjeçares që u gjet në Kosovë