Pavarësisht se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është përcaktuar të mbahet më datën 15 prill, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka publikuar asnjë emër të mundshëm për postet udhëheqëse të Kuvendit dhe Qeverisë.
Vetëvendosje vazhdon të shprehet e bindur se i ka numrat, ndërsa për këtë ka marrë mbështetjen e partive minoritare, por se matematikat e tjera qeverisëse vazhdojnë të jenë në pikëpyetje.
Nga ana tjetër në opinion vazhdojnë të jepen ide të ndryshme se si do të duket Qeveria dhe Kuvendi i ri i Kosovës, përkatësisht udhëheqja e trye.
Javën që lamë pas u përfol shumë edhe mundësia që Glauk Konjufca të mos jetë më në krye të Kuvendit të Kosovës, por të marr postin e kryeministrit.
Sipas Jakupit, për momentin nuk shihet një alternativë më e fortë për këtë post.
“Ka mundësi që LVV të propozojë sërish për kryetar të Kuvendit z. Glauk Konjufca edhe një mandat sepse z. Konjufca ka bërë një punë shumë profesionale në udhëheqjen e kuvendit dhe për momentin nuk mund të them se do kishte një personalitet tjetër që do e bënte këtë detyrë më mirë se z. Konjufca. Gjithsesi ka zëra që thonë se z. Konjufca do jetë i propozuar për kryeministër, atëherë duhet ta mendojmë gjithsesi se çfarë posti do merr kryetari i partisë, pra Albin Kurti?”, ka komentuar ai.
Jakupi thekson gjithashtu rëndësinë e një koalicioni të fortë ndërmjet partive shqiptare, përfshirë LVV-në, GUXO-në, Alternativën dhe LDK-në, si mënyra më e mirë për të siguruar stabilitet politik dhe qeverisje efikase.
“Kjo matematikë nuk duket se do sillte rezultate të sakta. Nëse Albin Kurti e pranon një vendim të tillë, atëherë do ishte në rregull. Por, duhet gjithashtu të mendohet në formimin e qeverisë? Që nga fillimi e kam thënë se duhet krijohet një koalicion nga shumica shqiptare, pra LVV me GUXO, Alternativën dhe LDK. Me këtë qeverisje do të ketë mundësi të kemi një stabilitet politik dhe një qeverisje që do merrte vendime në shumë çështje dhe natyrisht do kishte mundësi të zgjidhet presidentja v. Osmani në vitin 2026 edhe për një mandat”, shprehet ai.
Analisti thekson se, nëse kjo nuk arrihet sepse LDK kërkon postin e kryeministrit në qeveri, atëherë gjasat janë më të vogla për bashkëqeverisje me LDK-në.
“Solucioni i formimit të qeverisë, siç e thash do bëhej nga faktori shqiptarë i shumicës; LVV me koalicionin e saj të përfshijë edhe LDK dhe Fatmir Limajn me partinë NISMA duke ju ofruar postin e zëvendëskryeministrit për Lumir Abdixhikun – postin e ministrit të ekonomisë ndërsa z. Fatmir Limajt postin e ministrit të Infrastrukturës. Këtë kombinim e shoh më real se çdo mundësi tjetër që në krijimin e qeverisë të përfshihet Lista Serbe, sepse me këtë ata, në rast të thellimit të krizës mes Rusisë dhe Ukrainës ose një provokim i konfliktit në Ballkan, serbët e Kosovës do të bllokonin qeverinë, do dorëhiqeshin dhe kështu vendi do mbetej pa institucione dhe skenare tjera në dëm të Kosovës”, nënvizon ai.
Jakupi shpreson që pas disa vitesh, me një strukturim dhe qasje solide të Listës Serbe në strukturat e shoqërisë dhe pranimit të realitet në terren duke hequr dorë nga ndikimi serb, do mund të ketë një përfshirje në qeveri, por për momentin një përfshirje e tillë duket shumë sfiduese dhe gati e pamundur.
Të tjera
Vetëm qeveria mund të më heqë mandatin për dialogun
Polonia i tregon Rusisë grushtin
Sllovenia ia ndalon hyrjen Dodikut