Kosova përballet kërcënime të reja: Ekspertët e sigurisë kërkojnë që institucionet të përgatiten për çdo skenar nga Serbia

Më kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur një mbledhje e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën është diskutuar për planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është folur gjithashtu për sulmin me granata dore ndaj zyrës së Postës në Zveçan më 1 prill, si dhe për arrestimin e 5 prillit në Gjakovë të katër ‘pelegrinëve’ serbë, ndër të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë dhe tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.

“U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë.

Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione ndëretnikë e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet në komunikatë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës. 

Lidhur me këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe për synimin e Serbisë për të destabilizuar vendin, kanë folur ekspertët e çështjeve të sigurisë. Ata kanë sugjeruar disa veprime që duhet të ndërmerren nga mekanizmat e sigurisë.

Gecaj: Institucionet duhet të jenë të gatshëm për çdo skenar

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj,ka theksuar se sulmi ndaj Postës së Kosovës në Zveçan dhe arrestimet oficerëve serbë indikacione serioze për rrezikun e vazhdueshëm nga strukturat destabilizuese të drejtuara nga Beogradi.

Image

Hysen Gecaj

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm, dhe incidentet e fundit, përfshirë sulmin ndaj Postës së Kosovës në Zveçan dhe arrestimin e oficerëve serbë në Gjakovë, janë indikacione serioze për rrezikun e vazhdueshëm nga strukturat destabilizuese të drejtuara nga Beogradi. Pretendimi i Qeverisë së Kosovës se regjimi i Vuçiqit po eksporton krizën në Kosovë është i mbështetur në një seri zhvillimesh që kanë treguar qartë një përpjekje sistematike për të sfiduar sovranitetin dhe stabilitetin e vendit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Gecaj ka përmendur disa nga pasojat e mundshme nga Veprimet destabilizuese të Serbisë.

Veprimet destabilizuese të Serbisë mund të kenë pasoja të shumta:

Rritje të tensioneve ndëretnike, duke nxitur incidente të dhunshme në zonat e ndjeshme si veriu i Kosovës.

Minim të stabilitetit rajonal, pasi një krizë në Kosovë mund të përhapet në vendet fqinje si Bosnja dhe Mali i Zi, ku Serbia ka interesa të ngjashme.

Testim të qëndrueshmërisë së mekanizmave ndërkombëtarë, si NATO dhe BE, duke sfiduar praninë e tyre dhe efektivitetin në ruajtjen e paqes.

Krijim të një precedentit për ndërhyrje hibride, ku Serbia përdor aktorë informalë dhe paramilitarë për të destabilizuar situatën pa një konflikt të hapur”, ka theksuar Gecaj.

Gjithashtu, eksperti i sigurisë ka sugjeruar disa veprime të cilat do të duhet të ndërrmarën nga institucionet e sigurisë në vend.

Masat që duhen ndërmarrë nga institucionet e sigurisë në Kosovë

Për të adresuar këto kërcënime, mekanizmat e sigurisë në Kosovë duhet të ndërmarrin një sërë masash proaktive:

Përforcimi i pranisë së Policisë dhe FSK-së në zonat e ndjeshme, sidomos në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.

Zgjerimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët perëndimorë, për të siguruar mbështetje të vazhdueshme ushtarake dhe inteligjencë operative.

Luftimi i rrjeteve kriminale dhe paramilitare të lidhura me Beogradin, përmes hetimeve të thelluara dhe operacioneve të koordinuara me aleatët ndërkombëtarë.

Fuqizimi i mekanizmave të sigurisë kibernetike dhe luftës informative, pasi Serbia shpesh përdor propagandën për të krijuar ndasi dhe tensione.

Mobilizimi diplomatik për të siguruar mbështetje ndërkombëtare, duke paraqitur dëshmi konkrete për përfshirjen e Serbisë në akte destabilizuese”, ka thënë Gecaj.

Sipas tij, Kosova duhet të jetë e vendosur që të mos bie pre provokimeve të Serbisë dhe se duhet të jenë të gatshëm për çdo skenar.

“Kosova duhet të qëndrojë e përgatitur dhe e vendosur në mbrojtjen e sovranitetit të saj, duke mos rënë pre e provokimeve, por duke vepruar me inteligjencë dhe vendosmëri. Mekanizmat e sigurisë duhet të jenë të gatshëm për çdo skenar, ndërsa diplomacia kosovare duhet të punojë për të garantuar mbështetjen e aleatëve perëndimorë”, ka thënë Gecaj.

 

Dashevci: Rreziku vjen nga lufta hibride

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci e ka ritheksuar edhe njëherë se Serbia nuk do të ndalet me luftën e saj hibride kundër Republikës së Kosovës.

Image

Arben Dashevci

“Serbia, ashtu siç e kam përsëritur sa herë në Gazetën/Portalin tuaj të nderuar, nuk është ndalur kurrë, nuk po ndalet, dhe unë mendoj që nuk do të ndalet me atë që i ka mbetur, pra me luftën e saj hibride kundrejt Republikës së Kosovës, deri atëherë kur, me një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare, të na pranojnë si shtet.

Atëherë, ky vend ndalet me një establishment kontaminues atje, që ballafaqohet me probleme të brendshme të mëdha, të papara deri më sot. Tash bëjnë çmos për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme që ka”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, organet e sigurisë së Kosovës  e kanë sigurinë dhe mund të parandalojnë çfarëdo sulmi apo sabotazhi.

“Por organet tona kanë eksperiencë të madhe dhe po parandalojnë çfarëdo sulmi apo sabotazhi.

Kjo tregon se vigjilenca është e lartë dhe organet tona të sigurisë po e kryejnë punën e tyre shembullore.

Serbia nuk mund ta sulmojë kurrë më frontalisht Kosovën; këtë më së miri e ka elaboruar Gjenerali Amerikan Cavolli dje. Pra, mendohet edhe për forca të përhershme amerikane në Kosovë, lajm ky që qetëson qytetarët pa dallim.

Pra, vigjilenca duhet të jetë e lartë 24/7”, ka shtuar ai.

Përveç tjerash, Dashevci mendon se duhet të alarmohet bashkësia ndërkombëtare dhe se vetëm nga presioni mund të ndalohet qasja destruktive e Serbisë.

 “Duhet të alarmohet bashkësia ndërkombëtare dhe aleatët/partnerët strategjikë, mendoj unë.

Vetëm me një presion të madh ndërkombëtar ndalohet qasja destruktive e Serbisë.

Kurse politika dhe diplomacia jonë duhet të jenë aktive në kontaktet me SHBA dhe BE, gjithmonë në parandalimin e aktiviteteve të rrezikshme të Serbisë kundër vendit tonë”, ka thënë ai.

Edhe kapja e këtyre 4 personave nga organet tona tregon qartë aktivitetin e rrezikshëm të Serbisë ose planet e saj dashakeqe kundër Kosovës.

Çdo qasje e Serbisë ka qenë edhe më parë e rrezikshme; jemi sulmuar dy herë si shtet në vitin 2023 dhe 2024.

Kosova ka mësuar shumë dhe po mbrohet me të gjitha kapacitetet e saj kundër kësaj lufte të egër hibride të Serbisë dhe dirigjuesit të saj, Rusisë”, ka potencuar ai.

Në fund, Dashevci ka sugjeruar që masat të merren me koordinim me aleatët.

 “Masat që duhet të merren janë bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe koordinimi i pandërprerë me aleatin e përjetshëm SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët nga BE, gjithmonë për mbrojtje kundër kësaj lufte të egër hibride që po vjen nga Serbia dhe Rusia”, ka përfunduar Dashevci