​A është Gjykata Kushtetuese mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik?

Interpretim nga Gjykata Kushtetuese dhe ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për partitë politike. Këto po shihen si mundësi për të dalë nga ngërçi politik, sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti i Demokratik i Kosovës.

Të martën, Lumir Abdixhiku i LDK-së refuzoi ftesën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për koalicion.

Ftesa nga Kurti u bë publike të hënën më 5 maj, pas dështimit të njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.

Një përpjekje e radhës do të bëhen të mërkurën, në vazhdimin e seancës së 15 prillit.

Sipas tij, për tejkalim të kësaj bllokade politike mund të provohet të kërkohet përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.

“Nëse hipotetikisht vazhdojmë me këtë lloj ngërçi dhe këso lloj bllokade të formimit të institucionit, në këtë rast Kuvendit atëherë unë nuk shoh rrugë tjetër përpos që kjo çështje të adresohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe mendoj që është e drejtë e deputetëve, së paku e 10 deputetëve që ta iniciojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Nuk e di se a do të kenë vullnet dhe gatishmëri ky grup i deputetëve, por megjithatë nëse ata eventualisht e dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, mendoj se duhet pyetur gjykata se kjo e drejtë e propozimit a është e përhershme, a është absolute a është e pakufishme. Dhe a mundet që një person i cili dështon më shumë se tri herë t’i sigurojë 61 vota të propozohet përsëri për kryetar të Kuvendit. Mendoj se këtë lloj situate, edhe për shkak të mangësive ligjore që i kemi në rregulloren e punës së Kuvendit dhe në Kushtetutë unë besoj që duhet edhe njëherë që ndoshta të provohet mundësia që nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të zgjidhet kjo bllokadë”, tha ai.

Vullnet Bugaqku nga KDI thotë se në situatën aktuale politike edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mund të ftojë partitë politike për konsultime të gjera për të gjetur një marrëveshje politike.

Kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në konferencë për media të martën tha se kanë qëndrimin e njëjtë kundër koalicionit qeverisës me LVV-në, raporton KosovaPress.

Deklarimi i Abdixhikut është përgjigje ndaj ftesës që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kishte dërguar bërë LDK-së për koalicion.

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Kundër propozimit të LVV-së – Albulena Haxhiut – po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë, shkruan KosovaPress.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.