Barcelona ishte pranë një arritjeje të madhe. Për pak sa nuk bëri të pamundurën: përmbysi një disavantazh prej 2-0, por në fund nuk do të jetë në Mynih më 31 maj. Skuadra e Hansi Flick u mposht të mërkurën në “Giuseppe Meazza” me rezultatin 4-3 ndaj Interit. Për të përcaktuar finalistin, u desh koha shtesë, ku më të fortë u treguan zikaltrit.
Barcelona mbeti vetëm një hap larg finales së nëntë në histori në Ligën e Kampionëve. Nuk do të luajë në finalen e madhe të kompeticionit më prestigjioz të kontinentit dhe as nuk do ta arrijë dot ‘tripletën’ e ëndërruar. Tashmë, fokusi zhvendoset plotësisht te La Liga. Në dhomat e zhveshjes besohet se ky eliminim nuk do të ketë pasoja në vazhdim.
Rezultati 3-3 në sfidën e parë në “Montjuïc” e kishte lënë gjithçka të hapur. Edhe takimi i dytë ishte spektakolar dhe plot gola. Edhe një herë, Barça u detyrua të rikuperonte një rezultat negativ dhe arriti të përmbyste shifrat 2-0 në pjesën e dytë, pas një 45-minutëshi të parë të dobët. Por, sërish nuk mjaftoi. Interi i Inzaghit, pak para mbylles së kohës së rregullt dhe në shtesë siguroi biletën për në Mynih.
Lamtumira e Barcelonës dhe premtimi i Lamine Yamal
Barcelona e mbyll kështu aventurën në Champions dhe nuk do të jetë në finalen e madhe. Menjëherë pas ndeshjes, talenti i ri Lamine Yamal publikoi një mesazh premtues për tifozët në Instagram:
“Dhamë gjithçka, këtë vit nuk ishte e mundur, por do të rikthehemi, mos dyshoni aspak. Nuk do të ndalemi deri sa ta çojmë këtë klub atje ku e meriton, në majë. Do ta mbaj premtimin tim dhe do ta sjell Championsin në Barcelonë. Por të dielën kemi një tjetër finale, duhet të jemi të gjithë bashkë. ‘Visca el Barça’!”
Eric García, një nga shënuesit për Barçën, shprehu keqardhjen e tij:
“Nuk ka ngushëllim. Futbolli u tregua i pamëshirshëm me ne. E nisëm keq, me 2-0, por karakteri i skuadrës ishte i jashtëzakonshëm.”
Ronald Araujo shtoi:
“Jemi të trishtuar. E kishim finalen pranë, por na iku nga duart.”
Garcia përmendi arbitrin Marciniak, por nuk kërkoi justifikime:
“E njohim këtë arbitër, e dimë çfarë ndodhi herën e fundit këtu. Por nuk ka justifikime.”
Araujo gjithashtu u shpreh:
“Në golin e 3-3 kishte faull ndaj Gerard, por duhet të ngremë kokën.”
Sytë nga “El Clásico” dhe La Liga
Pavarësisht eliminimit, skuadra beson se sezoni ka qenë pozitiv. Barça ka fituar Superkupën dhe Kupën, dhe është ende në garë për La Ligan.
“Askush nuk besonte tek ne, thoshin që ishte vit tranzicioni. Na ka mbetur La Liga dhe do të luftojmë për të,” – u shpreh Garcia.
Araujo theksoi forcën mendore të grupit:
“Kjo humbje nuk do të na ndikojë. Ky ekip ka një mentalitet shumë të fortë.”
Fundi i një ëndrre, por jo i sezonit
Barça nuk do të fitojë ‘tripletën’, por mund të mbyllë vitin e parë me Hansi Flick me tre trofe: Superkupën, Kupën e Mbretit dhe – nëse nuk gabon në këto katër javë të fundit – edhe titullin kampion në La Liga. Një bazë e fortë për sezonet që vijnë.s.net.
Të tjera
Pas Graçanicës Posta e Kosovës merr objektin edhe në Shtërpcë ku ishte duke operuar ilegalisht Posta e Serbisë
Tek Juventusi, unë e përfaqësoj krejt popullin shqiptar
‘Akt agresiv dhe i pamatur’, thotë BE-ja për dronët rusë në Poloni