Të mërkurën Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën. Në këtë rezolutë kërkohet që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Në të njëjtin dokument, kërkohet edhe heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Thuhet se Kosova i ka përmbushur kriteret për këtë.
Autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras, i ka quajtur këto masa të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi.
Rezoluta përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbështet anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s. U bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin pavarësinë e saj.
Në dokument shprehet shqetësim për situatën e sigurisë në veri të vendit, veçanërisht pas sulmit në Banjskë dhe incidentit në kanalin Ibër–Lepenc.
Parlamenti shpreh keqardhje që Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht autorët e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë edhe Millan Radoiçiqin.
Normalisht që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ashtu siç kërkon rezoluta e miratuar nga PE, nevojitet formimi i institucioneve të reja.
“Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesin kombëtar,” ka deklaruar ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
“Është përgjegjësi e lidershipit politikë të formojë një Kuvend dhe një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën”, kanë deklaruar nga Ambasada e SHBA-së.
Analisti politik Afrim Kasolli, thotë që me qëllim të nisjes së dialogut duhet krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas tij, Parlamenti Evropian edhe në të kaluarën ishte kritik ndaj ecurisë së dialogut, por korrigjimi i tij nuk bëhet pa kthimin e palëve në tavolinë.
“Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, nuk mund të rifillojë pa krijimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Një sërë diplomatësh ndërkombëtarë e kanë shtruar si nevojë urgjente tejkalimin e krizës aktuale politike në Kosovë, për shkak të pamundësisë për t’u konstituuar Kuvendi me qëllim nisjen e procesit të sipër-përmendur. Kësaj thirrje në fund dje iu bashkua edhe Parlamenti Evropian. Nëpërmjet një rezolute ky institucion ka pohuar se e procesi integrues i Kosovës, ka nevojë për një momentum të ri” Po ashtu, nevojitet një “një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit”, sepse mjerisht, sipas eurodeputetëve, “dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”. Në këtë drejtim, të njëjtit u kërkuan të dyja palëve “që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtar. Parlamenti evropian edhe kohë më parë ishte shprehur kritik mbi mbarëvajtjen e dialogut dhe rezultatet e tij. Se dialogu nuk i ka prodhuar rezultatet e pritura është evidente. Kurse mjerisht nga progresi në këtë drejtim varet edhe ai i integrimeve euro-atlantike. Megjithatë asnjë korrigjim i tij nuk mund të ndodhë pa rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve”, shprehet Kasolli.

Sipas Kasolli, është me rëndësi formimi i institucioneve, sepse në rast se vonohet atëherë Serbia arsyetohet se nuk ka palë legjitime qeverisëse në Kosovë për të dialoguar.
Qëllimi i Kosovës në dialog, sipas analistit, duhet të jetë gatishmëria e ofertës në funksion të korrigjimit të procesit.
“Prandaj sa më shumë që Kosova të vonohet në drejtim të formimit të organeve të reja, aq më shumë ia lehtëson punën Serbisë. Ngase kjo e fundit arsyetohet se nuk ka palë legjitime qeverisëse në Kosovë për të dialoguar. Natyrisht, askush nuk po thotë që ky proces të ketë suksese, çdo gjë varet nga Kosova. Vet refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar Brukselit në sanksionimin ndërkombëtar dhe ekonomik të Rusisë, për shkak të agresionit brutal në Ukrainë,si dhe vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë më 9 maj, në ditën e paradës ushtarake, dëshmon se ky shtet vazhdon ta shpërfillë në mënyrë brutale politikën e përbashkët të BE, pjese e së cilës është edhe dialogu Kosovë-Serbi. Mirëpo, qëllimi është që Kosova të jetë gati me ofertën e saj në funksion të korrigjimit të këtij procesi, sepse tashmë është krijuar një konsensues i përgjithshëm që modeli i deritanishëm ka dështuar”, thekson analisti.
Me bllokadën e vendosur në Kuvendin e Kosovës, sipas Kasollit, po i lehtësohet puna serbëve.
Por, në anën tjetër kjo “bllokadë” i përshtatet edhe opozitës, thotë Kasolli, kjo për shkak të asociacionit.
“Që nga koha e certifikimit të rezultatit zgjedhor, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia nëpërmjet Listës Serbe është angazhuar që ta mbajë peng vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës. Madje tashmë ai ka hedhur dyshime se pjesë e kësaj agjende subversive, janë bërë edhe disa parti tjera minoritare jo serbe. Mirëpo e vërteta është se asnjëra prej këtyre subjekteve nuk kanë potencial përfundimtar për ta mbajtur peng formimin e institucioneve të reja. Përkundrazi, me bllokadën e vendosur mbi Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, po u lehtëson atyre punën, pa pasur ato nevojë për angazhim shtesë. Sepse në fund të fundit mbase me këtë qasje pretendon t’i shmanget për aq sa është e mundur presionit për themelim të Asociacionit të komunaleve me shumicë serbe që e ka pranuar me Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e zbatimit në Ohër. E këtë detyrim hiç me larg se dje e rikujtojë edhe rezoluta e sipër cekur e parlamentit evropian. Por, duket që kjo të jetë arsyeja që edhe partitë “opozitare” të përshtaten me këtë bllokadë. Sepse detyrimet ndërkombëtare të Kosovë kanë mundur t’i shmangin për nevoja të brendshme gjatë fushatës elektorale, por janë të vetëdijshme që një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë sikur hipotetikisht ta drejtonin shtetin”, përfundon Kasolli.
Të tjera
Nesër mbahet Konferenca Nacionale “Një komunitet pa varësi”, merr pjesë Kurti
I treguam Katarit, por ishte shumë vonë për ta ndaluar su*lmin
Shqipëria del e dyta pas fitores ndaj Letonisë dhe debaklit të Serbisë nga Anglia