Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se në mars të vitit 2027 do të nisë kryerja e një shërbimi të detyrueshëm ushtarak “shumë të shkurtër”.
Ai e bëri këtë njoftim gjatë një vizite për inspektimin e armatimit dhe pajisjeve në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviq” në Batajnicë, pranë Beogradit.
“Para kësaj do të fillojnë procedurat burokratike, ndërsa në mars do të fillojmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do t’i forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Vuçiq.
Ai nuk shpjegoi se sa do të zgjasë saktësisht ky shërbim “shumë i shkurtër”.
Në fillim të këtij viti, ai kishte paralajmëruar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të rikthehej në dhjetor 2026 ose në mars 2027, dhe se do të zgjaste 75 ditë.
Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet ta marrë pëlqimin e Kuvendit të Serbisë.
Përfaqësuesit e Qeverisë kanë njoftuar vazhdimisht kthimin e shërbimit ushtarak vitet e fundit.
Ideja u konkretizua në janar 2024. Pastaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit kthimin e shërbimit ushtarak.
Vuçiq më pas, në shtator të të njëjtit vit, nënshkroi një marrëveshje për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Që nga heqja e tij më 1 janar 2011, shërbimi ushtarak ka qenë vullnetar.
Kroacia fqinje votoi gjithashtu për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në tetor 2025.
Ndër vendet që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Greqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia.



Të tjera
Pesë foshnje marrin emrin Neymar pas rikthimit të tij në Botëror
Federata u jep një ndëshkim brutal futbollistëve të Uruguait pas dështimit në Botëror
Chelsea synon përforcime, hedh sytë tek ylli i La Ligës