KMSHK: Raportimi për tr*agjedi të bëhet me ndjeshmëri dhe profesionalizëm

Raportimi për tr*agjedi të bëhet me ndjeshmëri dhe profesionalizëm

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), i mbështetur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka publikuar një thirrje për mediat dhe gazetarët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë raportimit për tragjedi, duke respektuar etikën profesionale dhe ndjeshmërinë ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre, transmeton KosovaPost.

Në një njoftim zyrtarë në Facebook, theksohet se raportimi për tragjedi duhet të bëhet vetëm kur ka interes të lartë publik, dhe në raste të tilla duhet të ruhet privatësia, të shmangen imazhet e drejtpërdrejta të viktimave dhe të tregohet ndjeshmëri.

“Mediat duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe të raportojnë me vetëpërmbajtje,” thuhet në dokument, duke shtuar se duhet shmangur publikimi i fotografive ose videove që shfaqin viktimat apo trupat e tyre pa mbulim adekuat.

KMSHK thekson se nuk duhet të identifikohen me emër dhe mbiemër viktimat apo personat e zhdukur, përveçse në raste me interes publik. Mediat gjithashtu këshillohen të vendosin paralajmërime për përmbajtje të ndjeshme, të shmangin raportimin sensacional dhe të mos ekspozojnë kategoritë e cenueshme të shoqërisë.

Edhe AGK, përmes një postimi në Facebook, bashkohet me këtë thirrje, duke u bërë apel mediave që të ruajnë dinjitetin e viktimave dhe etikën.

“AGK-ja i bashkohet thirrjes së KMSHK-së për mediat dhe gazetarët, që të respektojnë Kodin e Etikës, gjatë raportimit për ngjarje që përfshijnë tragjedi familjare, duke ruajtur identitetin e të përfshirëve dhe respektimin e privatësisë”, thuhet në thirrjen e këtij Asociacioni.