Sot fillon punimet Sesioni i 36-të i Asamblesë Rajonale, marrin pjesë Kurti dhe Konjufca

Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi çdo kërkese nga qytetarët tanë në Izrael

Ditë më parë, Izraeli kishte filluar sulmet ajrore ndaj Iranit në një operacion të quajtur “Zgjimi i Luanit”. Në qendër të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit qëndronte programi bërthamor i diskutueshëm i Teheranit.

Iranianët i janë kundërpërgjigjur sulmeve të shtetit hebre. Tashmë raportohet se në mesin e të vrarëve në radhët e iranianëve janë disa komandantë, shkencëtarë bërthamorë si dhe civilë.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është arritur armëpushimi Izrael-Iran. Pas kësaj ka pasur reagime të shumta.

Situata në Lindjen e Mesme është përcjellur me vëmendje edhe në Kosovë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar për Telegrafin se kanë përmbyllur me sukses evakuimin e disa qytetarëve të Kosovës nga Izraeli.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael, ka përmbyllur me sukses, që në ditët e para të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, evakuimin e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës nga territori i Izraelit, përmes Jordanisë dhe Egjiptit.

Procesi është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael. MPJD shpreh mirënjohjen e saj të thellë për bashkëpunimin dhe lehtësimin e procesit nga ana e autoriteteve përkatëse të këtyre vendeve”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Po ashtu, MPJD thotë se po ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, ku së fundmi është raportuar për një sulm.

“Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”, kanë deklaruar nga MPJD.