Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka alternativë tjetër përveç funksionalizimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një ndër shtyllat kryesore të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, transmeton KosovaPost.
Këto deklarata ajo i bëri gjatë një takimi lamtumirës me shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ku u diskutua për angazhimin e këtij misioni dhe bashkëpunimin në avancimin e sundimit të ligjit në vend.
“Funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Nuk ka rrugë tjetër përveç jetësimit të Byrosë. Byroja do të bëhet. Byroja do të jetësohet”, ka deklaruar Gërvalla, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë takimit, ajo theksoi se reformat në drejtësi janë të domosdoshme dhe të pakthyeshme, të orientuara drejt rritjes së llogaridhënies, forcimit të integritetit dhe përmirësimit të efikasitetit në të gjitha nivelet e sistemit.
Sipas njoftimit, në fokus të diskutimit ishte edhe rëndësia e mekanizmave konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar rezultate të qëndrueshme dhe të matshme.
Po ashtu, u theksua nevoja për shkëmbim përvojash dhe avancim profesional të zyrtarëve, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
“Sundimi i ligjit kërkon zbatim të njëtrajtshëm dhe të paanshëm, si dhe vendimmarrje të qëndrueshme në çdo rast e situatë. Konsolidimi institucional dhe forcimi i profesionalizmit mbeten thelbësore për një sistem drejtësie funksional dhe të besueshëm”, ka thënë Gërvalla.



Të tjera
Transferimi i Bastonit po shkon drejt dështimit, Barça ndjehet e zhgënjyer
Abdixhiku: LDK-ja nuk ka marrëveshje me PDK-në, janë marrëveshje të kryetarit Rama me partitë e tjera politike
Besnik Berisha zgjidhet kryetar i KPM-së