MINTI intensifikon kontrollet në tregun e produkteve të qumështit

MINTI intensifikon kontrollet në tregun e produkteve të qumështit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së transparencës në treg, transmeton KosovaPost.

“Në kuadër të këtyre aktiviteteve, janë realizuar gjithsej 7 inspektime në 4 qytete të ndryshme të Kosovës. Si rezultat, 6 raste janë aktualisht në procedurë, ndërsa 1 rast është mbyllur. MINTI rikujton të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në fushën e prodhimit, importit, distribuimit dhe shitjes së produkteve të qumështit se janë të obliguar të respektojnë kërkesat ligjore në fuqi, përkatësisht Ligjin nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin nr. 2004/18 për Tregtinë e Brendshme”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

Në këtë kontekst, theksohet se çdo produkt duhet të ketë deklaracion të qartë, të lexueshëm dhe të dukshëm në gjuhët zyrtare, duke specifikuar saktë përbërjen e tij, përkatësisht nëse është: produkt me bazë shtazore (100%) (dairy),  produkt me bazë bimore (plant-based), apo produkt me bazë të qumështit pluhur.

Subjektet që ushtrojnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte, sipas kategorive përkatëse: produkte me bazë shtazore,  produkte me bazë bimore, produkte me bazë të qumështit pluhur.

MINTI, përmes IQMT-së, do të vazhdojë me intensifikimin e inspektimeve edhe në ditët në vijim, në përputhje me kompetencat ligjore për mbikëqyrjen e tregut, me qëllim të parandalimit të praktikave mashtruese dhe garantimit të informimit të drejtë për konsumatorët.

Tutje MINTI thekson se në rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore për etiketimin dhe ndarjen fizike të produkteve, operatorët ekonomikë do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

MINTI ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të raportojnë çdo parregullsi të evidentuar në treg, përfshirë mungesën e klasifikimit apo deklarimit të qartë të përbërjes së produkteve.