Në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ngre alarmin për rrezikun që sjell mohimi i së vërtetës historike nga Serbia.
Fetoshi ka thënë se mohimi i gjenocidit nga Serbia është një strategji e qëllimshme dhe pjesë e politikës ekspansioniste serbe. Sipas tij, Serbia, përmes këtij mohimi, jo vetëm që tenton të deformojë të vërtetën historike, por edhe ta fuqizojë projektin politik të “Botës Serbe”.
“Mohimi i gjenocidit nuk ka të bëjë vetëm me devijim moral apo kalkulime elektorale, por është një strategji për ta shtrembëruar të vërtetën dhe për ta fuqizuar politikën ekspansioniste serbe. Mohimi i gjenocidit është strategji politike për projektin hegjemonist të ‘Botës Serbe’”, thekson Fetoshi.
Ai shton se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, jo vetëm që është pasardhës politik i Millosheviqit, por edhe trashëgimtar besnik i ideologjisë së tij. “Më 1995 Vuçiq deklaronte në Parlamentin e Serbisë se ‘për një serb të vrarë, do të vrasim njëqind myslimanë’. Ndonëse sot ai shmang përgjegjësinë politike për krimet e këtij diskursi, refuzimi për ta mbështetur Rezolutën e OKB-së mbi Srebrenicën, e vërteton kontinuitetin ideologjik të ‘Botës Serbe’”, nënvizon Fetoshi.
Ai kritikon faktin që, ndonëse Tribunali i Hagës dhe gjykatat kombëtare kanë dënuar kriminelët për Srebrenicën, Serbia ende nuk e njeh 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Gjenocidin, duke shkelur detyrimet nga Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit të vitit 1948.
Në këtë kontekst, Fetoshi ndalet edhe te roli destabilizues i politikanëve serbë në rajon, veçanërisht i Milorad Dodikut, të cilin e quan “vegël të Kremlinit” dhe që e ka relativizuar gjenocidin si “gabim”.
“Një vegël e Kremlinit dhe një udhëheqës i sanksionuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) siç është Dodik, i dënuar dhe i përndjekur penalisht nga shteti i tij, s’mund t’i ‘tradhtojë’ interesat e ‘vëllazërisë sllave’ që kërkojnë: destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, minimin e rendit liberal-demokratik, pengimin e integrimeve euro-atlantike, dhe forcimin e narrativave anti perëndimore. Sepse, një reflektim eventual ndaj gjenocidit në Srebrenicë, nuk do të ishte vetëm braktisje e ambicieve seperatiste në Bosnje, por edhe një katarsis kombëtar dhe denazifikim i Serbisë, me implikime të thella politike, juridike dhe strategjike”, thekson Fetoshi.
Ai vë në dukje se mohimi i krimeve në Kosovë është pjesë e të njëjtës strategji. “Me fushatat e vazhdueshme të dezinformimit dhe narrativat manipuluese e nxitëse për ‘spastrimin etnik’ të serbëve, ‘ngacmimet e vajzave në veri’, apo ato më herët, për ‘krimet’ e UÇK-së me fabrikime e dëshmitarë të rrejshëm, ajo ka synuar që: ta minojë shtetin e Kosovës, të thellojë ndarjet etnike, ta manipulojë opinionin dhe diplomacinë ndërkombëtar, si dhe ta sfidojë rendin demokratik dhe integrimin euro-atlantik të rajonit”, shton Fetoshi.
Sipas tij, presioni i Perëndimit për të mos e toleruar më tutje Serbinë që ta refuzojë rendin juridik ndërkombëtar, për t’i pranuar krimet dhe për të kërkuar falje në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë “nuk është thjesht kërkesë egoiste a morale, por është kusht për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit”.



Të tjera
Ushtrimet që mund të bëhen në zyrë
12 gjërat për të cilat nuk duhet t’i kursejmë paratë
Pjekuria e plotë arrihet në moshën 30-vjeçare