Landa e Osmani diskutuan për fushat e mundshme të bashkëpunimit

Landa e Osmani diskutuan për fushat e mundshme të bashkëpunimit

Zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landa, ka thënë se në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë diskutuar për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen, transmeton KosovaPost. 

Në një postim në rrjetin social ‘X’,  Landa ka shkruar se të dy kanë shprehur “besimin se prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook për takimin që ka zhvilluar me zëvendëssekretarin e Shtetit Christopher Landau.

Ajo ka thënë se Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, siç ka shkruar, në përputhje me vizionin e fortë të presidentit Trump.

“Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentja Osmani është takuar edhe me Senatorin Andy Kim, në Uashington.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen e fuqishme dhe të palëkundur të Kongresit Amerikan!” ka shkruar ajo.