Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Ministri i Çështjeve Evropiane i Francës, Benjamin Haddad, lexoi mesazhin zyrtar të presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili dërgoi një mesazh të fortë kujtimi, njohjeje dhe mbështetjeje për Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Srebrenica mbetet një njollë e përhershme në kujtesën kolektive të Evropës dhe të gjithë botës. Na detyron të jemi të vërtetë dhe të jemi të drejtë”, tha presidenti Macron.
Ai theksoi se e vërteta nënkupton njohjen e plotë të shkallës së krimit, i cili, tha ai, ishte i motivuar nga urrejtja etnike, dhe pranimin se bashkësia ndërkombëtare dështoi të mbronte civilët në korrik 1995.
“Është një pranim i dështimit me qëllim që të mos përsëritet më kurrë një e keqe e tillë dhe të ndërtohet një e ardhme e përbashkët”, shtoi presidenti francez.
Ai theksoi se drejtësia do të thotë respektim i vendimeve të gjykatave dhe se nuk ka vend për revizionizëm dhe mohim në një rajon që dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Ky kujtim na angazhon për guxim, për ndërtimin e përditshëm dhe të vazhdueshëm të paqes dhe besimit – pa përjashtuar askënd”, tha Macron.
Në përfundim, ai kujtoi përvojën e vetë Francës në pajtim: “Franca është krenare që ka ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe premtuese me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe sot, Franca mbetet me ju – për të mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në rrugën e vështirë, por të domosdoshme të pajtimit, ndërtimit të paqes dhe një të ardhmeje të begatë një Evropë të bashkuar”.
Të tjera
Unë angazhohem për Drenasin kampion
“Liria ka Emër”, përfundon protesta në Hagë
Ta quash UÇK-në kriminale është ofendim i madh edhe për NATO-n