Reagon Vetëvendosje: Gjykata Speciale po prodhon padrejtësi, jo drejtësi

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar plotësisht mocionin e mbrojtjes që kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në prag të 10-vjetorit të themelimit të Gjykatës Speciale, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar si dëshmi të drejtësisë së përmbysur.

Sipas Vetëvendosjes, kjo gjykatë është kthyer në instrument paragjykimi ndaj luftës çlirimtare dhe ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe nga ndëshkimi. Në deklaratë theksohet se përpjekjet e viktimave, si rasti i Enver Dugollit për hetimin e masakrës së Dubravës, janë lënë në heshtje nga Prokuroria.

Lëvizja kërkon që ata që e themeluan dhe e miratuan këtë gjykatë të marrin përgjegjësi dhe të kërkojnë falje për dëmin institucional dhe moral. “Drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë,” përfundon reagimi.

Gjykata speciale po prodhon padrejtësi

Pas pak ditësh bëhen 10 vite nga themelimi me ndryshime kushtetuese dhe ligje të veçanta të Gjykatës Speciale. Katër nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë afër 5 vite në paraburgim.

Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes nga Gjykata Speciale është dëshmi e një logjike të përmbysur të drejtësisë, ku vija ndarëse midis çlirimit dhe agresionit zbehet qëllimshëm, ndërsa përpjekja e një populli për liri vihet nën dyshim me mjete juridike. Ky model i drejtësisë selektive nuk bën drejtësi universale, por prodhon një narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari.

Gjykata Speciale, e themeluar përtej çdo praktike të zakonshme ndërkombëtare, ka vepruar si instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës. Në vend që t’i shërbejë të drejtës, ajo i ka shërbyer paragjykimit. Madje duke hetuar dhe gjykuar padrejtësisht vetëm një palë, ajo ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe që është burimi real i gjenocidit dhe krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Sot është sërish moment reflektimi. Ata qeveritarë e deputetë që e miratuan e votuan e ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që e konfirmuan këtë gjykatë në vitin 2015 bartin përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata duhet sot të kërkojnë falje, jo si akt formal, por si shenjë vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që kjo gjykatë i ka shkaktuar vendit, kujtesës sonë kolektive dhe të ardhmes tonë. Ky do të ishte hapi i parë me të cilin duhet nisur një përbashkim për t’u mbrojtur jo vetëm juridikisht por edhe shoqërisht nga rreziku i shtrembërimit të thelbit të luftës sonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet e qartë: e mbrojmë luftën çlirimtare si themel të shtetit tonë dhe e kundërshtojmë çdo përpjekje për ta relativizuar të drejtën tonë historike për çlirim. Drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë, as për ta heshtur të vërtetën.

16 korrik 2025

Lëvizja VETËVENDOSJE!