Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë së arritur mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…” .
I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë.



Të tjera
Këto ushqime që porosisni në restorante kanë më shumë sheqer se çokollatat
Kurti thotë se do t’i ftojë liderët opozitarë për presidentin
Kurti paralajmëron ligj për çmimet tavan, kundërshton propozimin për heqjen e TVSh-së dhe akcizës për karburantet