Shefi i sigurisë i Iranit, Ali Larijani, tha se shteti i tij është i hapur për bisedime bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por përjashtoi çdo kufizim ndaj programit raketor të Teheranit.
“Rruga për negociata me SHBA-në nuk është mbyllur. Por, amerikanët janë ata që vetëm flasin për bisedime, por nuk ulen në tryezë dhe padrejtësisht fajësojnë Iranin për këtë”, tha Larijani, i cili është sekretar i Këshillit të lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
“Duke ngritur çështje të parealizueshme si kufizimet mbi raketat, ata vendosin një rrugë që e bën të pavlefshme çdo bisedim”, tha Larijani në një postim në X.
Këto deklarata vijnë disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara mirëpritën një vendim nga fuqitë evropiane për të rivendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, por thanë se mbeten “të gatshëm për angazhim të drejtpërdrejtë me Iranin”.
Bisedimet bërthamore midis Teheranit dhe Uashingtonit, të cilat kishin filluar në prill, u ndërprenë në mes të qershorit kur Izraeli sulmoi objektet bërthamore iraniane. Më pas, edhe SHBA-ja kreu sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Javën e kaluar, Britania, Franca dhe Gjermania – që njihen si grupi E3 – aktivizuan vendosjen automatike të sanksioneve të OKB-së – mekanizëm i paraparë në marrëveshjen bërthamore që Irani arriti me fuqitë botërore më 2015. Ky mekanizëm mund të aktivizohet në rast të mosrespektimit të dispozitave të marrëveshjes.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni synon një “zgjidhje të qëndrueshme për çështjen bërthamore iraniane” dhe se mekanizmi i aktivizuar nuk bie ndesh me gatishmërinë e SHBA-së për “diplomaci të sinqertë, përkundrazi e forcon atë”.
Pas sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së, Irani pezulloi bashkëpunimin me agjencinë bërthamore të OKB-së dhe kërkoi garanci kundër veprimeve ushtarake para se të rifillonte çdo negociatë.
Qeveritë perëndimore vazhdimisht kanë shqetësim për programin raketor të Iranit, duke e cilësuar atë si kërcënim për sigurinë rajonale.
Në korrik, Franca bëri thirrje për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me Teheranin, që të mbulonte jo vetëm programin e tij bërthamor, por edhe atë raketor dhe ambiciet rajonale.
Irani ka këmbëngulur se aftësitë e tij ushtarake nuk do të negociohen.
Qeveritë perëndimore kanë thënë se dyshojnë se Irani po synon të krijojë armë bërthamore, por Teherani vazhdimisht ka mohuar këto pretendime./rel
Të tjera
Reshjet gati sa nuk fundosin veturat në kryeqytet, banorët ankohen
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës gjatë të enjtes
Trump thotë se do të zhvillojë bisedime për Ukrainën në ditët në vijim