Kuçi akuzon familjen Ramosaj për kërcënime ndaj kandidatit të PSD-së në Deçan, publikon mesazhin

Zyrtarja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka reaguar për kërcënime ndaj kandidatit të kësaj partie në Deçan.

Kuçi ka akuzuar vëllain e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për kërcënim ndaj kandidatit të PSD-së për Asamble, Behar Retkoceri.

Sipas Kuçit, kërcënimi është bërë përmes një mesazhi të dërguar gjatë transmetimit live.

“Kjo është ajo për të cilën po flasim gjatë kësaj fushate. Kryetari jo vetëm që i përdor të gjitha resurset e komunës për t’i pasuruar vëllezërit e tij, por edhe i përdor ata për të kërcënuar ata që guxojnë ta kritikojnë. Por koha e kërcënimeve ka ikur në Deçan”, ka shkruar Kuçi.

Ajo ka shtuar se qytetarët e Deçanit “nuk i kanë borxh askujt dhe nuk kanë frikë nga kërcënimet”, ndërsa pushteti aktual sipas saj po ndjen humbjen dhe po reagon me “shkelmat e fundit”.