Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritet të plotë me Poloninë pas shkeljes së hapësirës ajrore të saj nga dronët rusë gjatë një sulmi ajror ndaj Ukrainës perëndimore. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e cilësoi ngjarjen si një kërcënim serioz për sigurinë e të gjithë kontinentit.
“Ngjarjet e mbrëmshme janë një kujtesë e fortë se siguria e njërit është siguria e të gjithëve,” deklaroi Costa në një postim në platformën X.
Ai theksoi se “agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës dhe shkeljet e pakujdesshme të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të BE-së përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e të gjithë evropianëve dhe për infrastrukturën kritike në gjithë kontinentin tonë.”
Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se treguesit e hershëm sugjerojnë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore evropiane ishte e qëllimshme, jo aksidentale.
Ajo ka shkruar të mërkurën në X se lufta e Rusisë po vazhdon të përshkallëzohet.
“Ne duhet të rrisim koston për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja mbrojtëse e kufirit lindor”, ka shkruar Kallas.
Ajo e ka përshkruar sulmin rus, ku dronët hynë në hapësirën ajrore polake, si “shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës.”
Kallas ka shtuar se është në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Zëvendëskryeministrin e Polonisë, Radosław Sikorski.
“BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë”, ka thënë Kallas.
Edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, reagoi me forcë, duke e cilësuar shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë si “thjesht të papranueshme”.
“Nuk do të bëjmë kompromis mbi sigurinë e aleatëve tanë,” shkroi Macron në një postim në X, duke shtuar se së shpejti do të zhvillojë një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me situatën.
Kjo ngjarje ndodh në një moment të tensionuar për sigurinë evropiane, ndërsa BE dhe NATO vijojnë të theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së integritetit territorial të vendeve anëtare dhe mbështetjes së pandërprerë për Ukrainën përballë agresionit rus.
Të tjera
Republika e Kosovës bëhet anëtare e Konfederatës Ndërkombëtare të Matjeve (IMEKO)
Ekipi i FSK-së po kryen përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në garën “Cambrian Patroll” në Uells
Mujka e quan ‘Sulm politik kundër LVV-së në prag fushate’ aktakuzën për keqpërdorim të pozitës