Situata e sigurisë në kufirin lindor të NATO-s është tensionuar ndjeshëm pas raportimeve për hyrjen e dronëve dhe një rakete të paidentifikuar në hapësirën ajrore të Polonisë. Incidentet kanë shkaktuar reagime të menjëhershme nga autoritetet polake dhe aleatët perëndimorë.
Rutte: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar pas incidenteve të fundit në hapësirën ajrore të Polonisë, duke theksuar vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të saj.
“Për presidentin Putin, mesazhi im është i qartë: ndalni menjëherë luftën në Ukrainë. Ndalni përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti që, në thelb, po zhvillohet kundër civilëve të pafajshëm dhe infrastrukturës civile. Mos shkelni hapësirën ajrore të vendeve aleate. NATO është e përgatitur, vigjilente dhe do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, ka deklaruar Rutte.
Tusk: Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka theksuar se gjatë natës janë regjistruar 19 shkelje të hapësirës ajrore të vendit, kryesisht nga dronë që kanë ardhur nga drejtimi i Bjellorusisë. Sipas autoriteteve polake, tre prej tyre janë rrëzuar, ndërsa një tjetër është ende në proces identifikimi.
“Fakti që këta dronë, të cilët përbënin një kërcënim për sigurinë tonë, janë rrëzuar, ndryshon natyrën politike të situatës. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët janë shndërruar në një kërkesë zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, ka theksuar Tusk.
Ministria e Brendshme e Polonisë: Gjeten shtatë dronë dhe mbetje raketash
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme polake, Karolina Galecka, ka konfirmuar se janë gjetur shtatë dronë dhe mbetje të një rakete me origjinë ende të paidentifikuar.
“Autoritetet kanë rikuperuar shtatë dronë dhe fragmente të një rakete që kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës. Hetimet janë në vijim”, ka deklaruar Galecka.
Reagimi i Kremlinit dhe Ambasada Ruse në Poloni
Kremlini ka refuzuar të komentojë mbi pretendimet e autoriteteve polake, duke i quajtur ato çështje që i përkasin Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Ndërkohë, i ngarkuari me punë në Ambasadën Ruse në Varshavë, Andrey Ordas, ka mohuar përfshirjen e Rusisë, duke pohuar se “dronët janë nisur nga drejtimi i Ukrainës”.
Të tjera
Adoleshentët që kalojnë më shumë se 9 orë në rrjetet sociale rrezikohen nga depresioni
Varret masive në Serbi, gërmime deri në dy javë në Kozhlje
Peshëngritja largon depresionin