Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, thotë se amendamenti i paraqitur nga kongresisti republikan amerikan Brian Mast në Kongresin e SHBA-së, i cili synon të vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, është një zhvillim i madh që bart një sërë mesazhesh të rëndësishme për të gjitha palët e përfshira në rajon dhe më gjerë.
Sipas tij, ky propozim nuk është vetëm një akt politik i brendshëm amerikan, por një sinjal strategjik që përkon me rrethanat aktuale gjeopolitike, ku rivaliteti mes Perëndimit dhe fuqive të tjera si Rusia dhe Kina po thellohet edhe në hapësirat e vogla, siç është Ballkani.
“Së pari, ky amendament është një afirmim i qartë i rolit të SHBA-së si garantues i shtetësisë dhe sigurisë së Kosovës. Që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e deri te shpallja e pavarësisë dhe proceset e mëvonshme të njohjes ndërkombëtare, SHBA ka qenë sponsori dhe mbrojtësi kryesor i Kosovës. Vendosja e anëtarësimit në NATO si prioritet politik i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor tregon se amerikanët janë të gatshëm të kalojnë nga faza e mbështetjes diplomatike në fazën e angazhimit strategjik të drejtpërdrejtë, duke synuar ta fusin Kosovën në zemër të arkitekturës së sigurisë perëndimore”, shprehet Shala.
Së dyti, Shala thotë se ky hap bart mesazhe të qarta për Serbinë dhe për politikën e saj të dyfishtë.
“Së treti, për Kosovën vetë, ky është një moment i artë dhe një sfidë e madhe njëkohësisht. Një amendament i tillë rrit pritshmëritë që Prishtina të tregojë pjekuri institucionale, të avancojë reformat në fushën e sundimit të ligjit, të garantojë respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe të dëshmojë profesionalizëm të plotë në fushën e sigurisë. Mbështetja amerikane për anëtarësim në NATO nuk është vetëm një dhuratë, por një përgjegjësi që kërkon përkushtim nga ana e Kosovës për të përmbushur standardet e Aleancës dhe për të treguar se është faktor stabiliteti dhe jo prodhues tensioni”, shpjegon eksperti Shala.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO kërkon konsensus unanim të 32 shteteve anëtare, përfshirë pesë vende që ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Duke e vendosur këtë çështje si prioritet, SHBA praktikisht po e shtyn NATO-n dhe BE-në që ta ballafaqojnë më seriozisht këtë pengesë, duke i vënë përpara përgjegjësive ato shtete që deri tani kanë shmangur një pozicion të qartë. Ky është një test për unitetin transatlantik dhe për aftësinë e Perëndimit që të projektojë koherencë strategjike në një rajon që historikisht ka qenë terren i rivalitetit”, nënvizon Shala, sipas të cilit, ky zhvillim është një sinjal i fuqishëm edhe për Rusinë dhe Kinën, të cilat kanë investuar në rritjen e ndikimit të tyre në Ballkan.
“Rusia ka përdorur Serbinë si platformë për ndikim politik, kulturor dhe mediatik në rajon, ndërsa Kina përmes investimeve ekonomike ka kërkuar të sigurojë praninë e saj strategjike. Një përkushtim amerikan për integrimin e Kosovës në NATO e kufizon këtë hapësirë manovrimi dhe e forcon mesazhin se Ballkani Perëndimor është pjesë e pandashme e rendit perëndimor. Ky është një lloj “paralajmërimi i ftohtë” që SHBA nuk ka ndërmend të lejojë krijimin e vakumit gjeopolitik në këtë rajon”.
“Në përmbledhje, ky amendament është një hap politik me peshë të madhe, i cili, nëse miratohet, mund të ndryshojë ekuilibrat në Ballkan dhe të forcojë konsolidimin e rendit euroatlantik në rajon. Për Kosovën, është një mundësi historike për të përshpejtuar integrimin në strukturat perëndimore, por edhe një test për aftësinë e saj për të qenë e besueshme dhe e përgatitur për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO. Për Serbinë, është një paralajmërim i qartë për të rishikuar politikën e saj të neutralitetit. Për NATO-n, është një provë uniteti. Ndërsa për Rusinë dhe Kinën, ky është një sinjal se SHBA-ja po e rimerr me seriozitet skenën e Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë hapësirë si pjesë të pandashme të rendit të saj strategjik global”, përfundon eksperti Drizan Shala.
Kujtojmë se kongresisti republikan amerikan, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongresin e SHBA-së, i cili synon vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.



Të tjera
Aston Villa befason Arsenalin, i afrohet në 3 pikë liderit
Personat që gërhasin janë të rrezikuar nga infarkti në tru
Sot vendoset për datën e tërheqjes së shortit për renditjen e partive