Azerbajxhani ka vendosur të zgjasë deri më 1 janar 2026 mbylljen e kufijve tokësorë, duke mbetur i vetmi vend në botë që vijon të jetë i mbyllur që nga nisja e pandemisë COVID-19. Vendimi u firmos më 22 shtator nga kryeministri Ali Asadov, duke shtyrë afatin e mëparshëm të përcaktuar për 1 tetor 2025.
Ky “regjim i veçantë karantine” është në fuqi që prej pranverës së vitit 2020, kur shumica e shteteve mbyllën kufijtë për të frenuar përhapjen e virusit. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, që ka hequr kufizimet prej vitesh, Azerbajxhani ka mbajtur një politikë hermetike mbi qarkullimin tokësor. Prej marsit 2023 udhëtimi ajror është normalizuar, pa kërkesë për teste apo certifikata mjekësore, por hyrja dhe dalja nga vendi përmes tokës mbetet e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme si transportet e mallrave, shkruan A2 CNN.
Në praktikë, kjo do të thotë se të huajt mund të hyjnë vetëm përmes avionëve, ndërsa kufijtë tokësorë janë të mbyllur për turizmin dhe qarkullimin e zakonshëm. Autoritetet e justifikojnë masën me nevojën për të parandaluar rreziqet e reja nga koronavirusi, por kritikat ndërkombëtare e shohin si një izolim unik dhe të pazakontë.
Për të balancuar këtë qasje, Baku lehtësoi procedurat e vizave për evente të mëdha, si për tifozët e Formula 1 që u mbajt një javë më parë.



Të tjera
Thaçi nga Haga: Më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar
Kurti nga Jerevani: Anëtarësimi në BE dhe në NATO, garanci për stabilitetin e Kosovës
Ata që hanë ushqim djegës çdo ditë rrezikohen nga dementia